
KEK-u sqaron pezullimin e tenderit për kullën ftohëse në Kosova B
Korporata Energjetike e Kosovës ka sqaruar se pezullimi i aktivitetit të prokurimit për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B” është bërë për shkak se më 18 gusht Autoriteti Kontraktues ka pranuar një kërkesë për rishqyrtim. Sipas KEK-ut, në momentin kur pranohet një kërkesë për rishqyrtim, Autoriteti Kontraktues është i detyruar me ligj që të pezullojë aktivitetin e prokurimit deri në marrjen e një vendimi për atë kërkesë.
Institucioni thekson se “pezullimi i këtij aktiviteti është një procedurë standarde ligjore, e cila nuk ka asnjë lidhje me spekulimet dhe insinuatat e publikuara nga media”. KEK-u gjithashtu u bën thirrje mediave që “të mos shpërndajnë dezinformata dhe të respektojnë parimet e informimit të saktë, korrekt dhe të balancuar”.
Korporata Energjetike e Kosovës thekson se mbetet “e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe konkurrencës së drejtë, dhe nuk do të lejojë që proceset e saj të përdoren për manipulime mediatike”.
Ky reagim vjen pas artikullit të publikuar më 19.08.2025 nga Gazeta “Insajderi”, me titull “KEK-u pezullon tenderin 2.5 milionësh që iu bë gati kompanisë më ortak kinez”.
Artikulli i publikuar nga gazeta “Insajderi” më 19.08.2025 raportonte për pezullimin e tenderit 2.5 milionë eurosh të KEK-ut për rehabilitimin e kullës ftohëse në TC Kosova B, duke theksuar se kontrata ishte përgatitur për kompani me ortakë kinezë.