
Bordi i ZRRE-së në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike, thotë Bajrami
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) se është vënë në shërbim të qeverisë dhe mafisë energjetike.
Në një reagim të publikuar në faqen e saj në Facebook, Bajrami theksoi se ky bord, me përbërjen aktuale, në nëntor të vitit 2024 ka miratuar një dokument ku thuhet se “tregu i energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë shfaq mungesë konkurrence dhe përqendrim të lartë”.Ajo i bëri thirrje kryetarit të Bordit të ZRrE-së të dalë në një debat publik lidhur me zbatimin e ligjit, duke theksuar se “ligji nuk është tavolinë suedeze”.
“A mund ta mohojë ZRrE-ja një gjë të tillë? Për më tepër, në takimin e datës 12 maj të këtij viti në zyrën tuaj, ku unë isha bashkë me Visar Azemin, ju e keni thënë – po parafrazoj: ‘E vetmja mundësi për t’i mbajtur bizneset në shërbimin universal të furnizimit të energjisë ka qenë nëse Qeveria do t’i ndante 50 milionë euro subvencion’. Ka dëshmitarë që e keni thënë këtë në takim me mua, e keni thënë edhe në takim me shoqatat e biznesit, dhe ka shumë mundësi ta keni thënë edhe publikisht,” shkroi Bajrami.
Deputetja e LDK-së paralajmëroi se do të vazhdojë të denoncojë çdo vendim që, sipas saj, shkon në favor të monopolizimit të tregut dhe dëmton qytetarët e Kosovës.