ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë detyrim ligjor, 23 kompani të licencuara
Foto: Laura Hasani

ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë detyrim ligjor, 23 kompani të licencuara

Ekonomia August 19, 2025 - 16:58

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016.

Në një komunikatë ky institucion ka thënë se nga viti 2017, ZRRE-ja ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial.

“Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRrE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, thuhet nga ZRRE-ja.

Poashtu është bërë e ditur se janë licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike. Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.

“Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:· 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale;  · 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.Duhet theksuar se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”, thuhet nga ZRRE-ja

Ndryshe Odat e bizneseve kanë kërkuar nga ZRRE-ja që të shtyjë afatin e hyrjes në fuqi të tregut të lirë energjetik.

Bizneset të cilat nuk kanë lidhur kontrata me furnizues janë shkyqur nga rrjeti elektrik.