
Shkyçjet nga energjia, G7 ngre alarmin: Rrezikohet stabiliteti ekonomik dhe social i Kosovës
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe veprimeve të ndërmarra nga KEDS-i për ndërprerjen masive të furnizimit me energji elektrike ndaj bizneseve, duke theksuar ndikimin disproporcional që kjo ka te bizneset në pronësi të grave.
Në reagimin zyrtar, G7 shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar. Sipas tyre, ky proces, i zbatuar në mënyrë të menjëhershme, shpeshherë në prani të forcave policore, ka krijuar një klimë pasigurie të thellë për sektorin privat dhe ka dërguar sinjale negative tek investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas Dhomës, më së shumti të dëmtuara janë gratë sipërmarrëse.
“Veçanërisht të prekura nga kjo situatë janë bizneset në pronësi të grave, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë vendore”, thuhet në reagim.
G7 thekson se ato përballen me humbje të të ardhurave, dëmtim të zinxhirit të shërbimeve dhe prodhimit, si dhe rrezikim të vendeve të punës, “shumica prej tyre të mbajtura nga gra – si dhe mbyllje të mundshme të aktiviteteve ekonomike”.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës gjithashtu thekson se kanë pranuar ankesa nga anëtaret për raste ku edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me shkyçje, si dhe raste të tjera ku subjekte që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të kaluar në tregun e lirë janë përfshirë në këtë proces.
Sipas tyre, kjo dëshmon se “tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë është zbatuar në mënyrë të papërgatitur dhe pa analizë të plotë të implikimeve për ekonominë”.
Në reagimin e saj, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 paraqet tri kërkesa konkrete:
- Që ZRRE-ja dhe KEDS-i të pezullojnë menjëherë ndërprerjen e furnizimit me energji për bizneset dhe të sigurojnë një proces të drejtë, transparent dhe ligjërisht të qartë.
- Që të hapet një dialog i strukturuar dhe gjithëpërfshirës me odat ekonomike dhe organizatat e biznesit, në mënyrë që të hartohet një plan tranzicioni i arsyeshëm për daljen në tregun e lirë të energjisë.
- Që të krijohen mekanizma mbrojtës dhe lehtësues për bizneset e vogla dhe të mesme, me fokus të posaçëm tek ndërmarrjet në pronësi të grave, për të shmangur dëme të pariparueshme në aktivitetin e tyre ekonomik.
G7 rithekson se “gratë sipërmarrëse luajnë një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Vendime të tilla, të ndërmarra pa konsultim dhe tranzicion të mjaftueshëm, rrezikojnë jo vetëm ekzistencën e bizneseve të tyre, por edhe stabilitetin ekonomik e shoqëror të Kosovës”.