Rafuna: Ndërprerja e energjisë për bizneset do të jetë skandal
Foto: Laura Hasani

Rafuna: Ndërprerja e energjisë për bizneset do të jetë skandal

Ekonomia August 15, 2025 - 21:41

Lulzim Rafuna, drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka folur për çështjen e liberalizimit të tregut për bizneset, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Komerciale që i jep të drejtë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Rafuna tha se shpresojnë që ZRRE-ja të mos nisë implementimin e vendimit, duke kujtuar se më 30 korrik kishte një paralajmërim se nga 1 gushti do të ndërpritej energjia elektrike, por ndërhyrja e Gjykatës Komerciale me masë të përkohshme e ndali këtë veprim.

“Më pas ZRRE-ja u ankua në shkallën e dytë të ankesave në Gjykatën Komerciale, e cila anuloi pikën ku ishte vendosur masa e përkohshme. Duhet ta kemi të qartë se nuk është vendosur ende për çështjen meritore të objektit të ankesës; çështja është vendosur vetëm sa i përket masës së sigurisë, që është e përkohshme, që biznesi nga ai njoftim apo vendim mos të pësojë një dëm derisa të shqyrtohet dhe të vendoset në mënyrë meritore për objektin e ankesës,” tha ai.

Rafuna paralajmëroi se një ndërprerje e mundshme e energjisë për bizneset “do të jetë skandal në vetvete, për shkak se i detyron bizneset me dhunë që të lidhen kontratë”.