
Kelmendi: Nga 46 bimë të certifikuara, prodhojmë 70 produkte mjekuese
Falë njohurive të saj të thella për bimët aromatike dhe mjekuese, biologja Havushe Bunjaku sot prodhon 70 produkte të ndryshme organike nga këto bimë. Ajo tregon se me kultivimin e bimëve mjekuese merret tash e 15 vite dhe aktualisht ka fabrikën e saj në Kishnicë të komunës së Graçanicës.
Bunjaku thotë se kultivojnë 46 bimë të certifikuara organike, prej të cilave disa rriten spontanisht në natyrë, ndërsa një numër i konsiderueshëm kultivohen posaçërisht, sepse nuk rriten në mjedisin e egër.
“Ka disa lloje bimësh që kërkojnë më shumë përkujdesje nga dora e njeriut dhe nuk gjenden në natyrë, por ka edhe bimë shumëvjeçare që i kultivojmë nëpër parcela. Aktualisht jemi 56 gra të përfshira në këtë biznes, disa punojnë sezonalisht, e shumica punojnë në shtëpitë dhe kopshtet e tyre, ku i kultivojnë bimët dhe më pas i sjellin këtu për përpunim”, thotë Bunjaku për RTK.
Ndërkaq, Ilmije Bytyqi, nga fshati Shashkovc i komunës së Prishtinës, ka 10 vite që merret me grumbullimin dhe kultivimin e bimëve mjekuese dhe aromatike.
Ajo tregon se për momentin kultivon 5 lloje bimësh mjekuese në 30 ari tokë, ndërsa llojet e tjera i grumbullon në fusha të certifikuara si organike. Sipas saj, kultivimi i bimëve mjekuese organike kërkon përkujdesje edhe më të madhe se ai i perimeve.
Edhe grumbullimi i tyre në natyrë nuk është punë e lehtë, por të dyja, sipas Bytyqit, ia vlejnë pasi fitimi në këtë veprimtari nuk mungon. Ajo shton se, sa i përket rendimentit, nëse bimët mjekuese kultivohen profesionalisht, ato japin prodhim të lartë. Megjithatë, këtë vit, për shkak të temperaturave të larta, rendimenti ka qenë më i ulët se vitin e kaluar.
Me kultivimin e bimëve mjekuese merret edhe Havushe Bunjaku, e cila i grumbullon dhe i përpunon ato në fabrikën e saj në Kishnicë. Ajo shpjegon se në një parcelë kryejnë edhe testime për të parë cilat bimë mund të kultivohen në zona më të ulëta, krahas rritjes së tyre në natyrë.
Bunjaku thotë se momentalisht kultivon 6 hektarë tokë me bimë mjekuese, të ndara në parcela të vogla. Fidanët, analizat e tokës dhe preparatet i sigurojnë vetë, si pikë grumbulluese dhe përpunuese e këtyre bimëve.
Për mbrojtjen dhe menaxhimin e sëmundjeve dhe insekteve, Bunjaku përdor hithra dhe kulturën e rigonit, duke ndjekur metoda plotësisht organike.
Ajo thotë se bimët sillen nga fushat në qendrën e përpunimit, ku një pjesë e tyre thahen për çajra, ndërsa pjesa tjetër destilohen për të prodhuar vajra dhe hidratues, të cilët shërbejnë për prodhimin e kremrave të ndryshëm organikë.
Me kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekuese aromatike, Bunjaku ka nisur të merret në vitin 2010, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Biologjisë.
“15 vjet më vonë, në këtë biznes janë të angazhuara 56 gra, të cilat arrijnë të grumbullojnë dhe të përpunojnë 46 lloje të ndryshme bimësh mjekuese-aromatike organike, që rriten anembanë vendit tonë. Bimët mjekuese-aromatike mbulojnë tre sektorë ekonomikë: ushqimin dhe pijet, ku hyjnë çajrat dhe erëzat, sektorin farmaceutik dhe sektorin e kozmetikës”, thekson Bunjaku.
Sipas saj, etapa e kultivimit të këtyre bimëve fillon në muajin shkurt dhe në këtë qendër përpunimi nuk mbetet asgjë pa u shfrytëzuar nga bima. Nga 46 llojet e luleve që përpunohen, prodhohen 70 lloje produktesh të ndryshme.
Sa i përket shitjes së vajrave, Bunjaku thotë se ato shiten mirë dhe përdorin shumë alternativa tregtimi: nga marketet, tregjet mobile, postës online e deri te rrjetet sociale. Çmimet, sipas saj, janë më të ulëta se ato të vajrave organike që importohen në vendin tonë.
Krahas vajrave, në këtë pikë përpunuese prodhohen edhe kremra organikë dhe sapunë natyralë. Po ashtu, prodhohen 50 lloje çajrash të ndryshëm.
Bunjaku thekson se nuk mund të veçojë një çaj për nga rëndësia, pasi secili prej tyre ka veçantitë e veta për parandalimin dhe shërimin e sëmundjeve të caktuara. Ajo u sugjeron konsumatorëve që, para përdorimit të çajrave, të lexojnë udhëzimet në paketim dhe të konsultohen me profesionistë.
Shitja e çajrave, sipas saj, është e kënaqshme dhe çmimet janë më të lira se çajrat organikë të importuar.
Krahas çajrave, aty prodhohet edhe uthulla organike nga molla e egër dhe nga fruta e perime të tjera, ndërsa uthulla e mollës së egër tashmë ka fituar një vend të qëndrueshëm në tregun vendor.