DHTIK-ja kërkon nga ZRRE-ja ta shtyjë vendimin për liberalizim të tregut të energjisë deri në vendimin përfundimtar të gjykatave

DHTIK-ja kërkon nga ZRRE-ja ta shtyjë vendimin për liberalizim të tregut të energjisë deri në vendimin përfundimtar të gjykatave

Ekonomia August 13, 2025 - 14:24

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë vlerëson se situata e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale ka sjellë sfida të reja për bizneset, të cilat thotë se kanë pritur një vendim “të drejtë dhe meritor”, siç e ka dhënë Shkalla e Parë e kësaj gjykate.

DHTIK-ja vlerëson se afati i dhënë nga ana Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) deri më 16 gusht për bizneset që të lidhin kontrata për furnizim është shumë i shkurtër dhe shkakton probleme të mëdha për qindra biznese, të cilat nuk kanë nënshkruar me asnjë kompani të licencuar.

Gjithashtu, thotë se numër i madh i kompanive janë në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata Komerciale, ku kanë dorëzuar padi kundër këtij procesi, e të tjerat janë në procedurë përgatitjeje të ankesës edhe në instancat tjera gjyqësore, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Andaj me këtë rast, DHTIK-ja njofton se i është drejtuar sërish me një kërkesë Zyrës së Rregullatorit për Energji që ta pezullojë vendimin për Liberalizim të Tregut të Energjisë deri në vendimin përfundimtar të instancave gjyqësore.

“E ritheksojmë edhe njëherë se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i qëndron prapa qëndrimit të saj që Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike duhet të pezullohet në tërësi dhe të nisin menjëherë konsultimet publike me të gjitha palët e interesit. Vlerësojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE për ta realizuar Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrikë është tërësisht e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nga ky hap, rrezikohen shumë vende pune, ulje të kapaciteteve prodhuese, rënie të konkurrueshmërisë në treg dhe mbyllje të bizneseve”, u tha nga DHTIK-ja.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot i ka paralajmëruar bizneset, të cilat ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, këtë ta bëjnë deri më 16 gusht të këtij viti.