
OEK-u dhe DHTIK-ja paralajmërojnë hapa ligjorë pas vendimit të Shkallës së Dytë nga Komercialja për ZRRE-në
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) kanë reaguar pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24 të datës 5 prill 2024 dhe njoftimit të datës 12 mars 2025 të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
DHTIK-ja, përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin, duke thënë se ky vendim i hap rrugë liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pavarësisht se procesi, sipas tyre, përmban shkelje të shumta ligjore dhe procedurale.
Dhoma thekson se gjykata ka pasur prova të mjaftueshme për këto shkelje, të paraqitura vazhdimisht në takimet me institucionet, por që nuk janë marrë parasysh.
Sipas DHTIK-ja, mënyra e zgjedhur nga ZRRE-ja, e përkrahur në heshtje nga institucionet, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë dhe produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbylljen e shumë bizneseve.
DHTIK-ja ka bërë thirrje ZRRE-së dhe Qeverisë që të pezullojnë menjëherë vendimin dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke përfshirë komunitetin e biznesit.
Ndërkohë, OEK-u ka njoftuar se, ndonëse nuk e komenton vendimin e gjykatës, do të vazhdojë betejën ligjore duke shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe se do t’i mbajë të informuar anëtarët e saj.
Oda bën të ditur po ashtu përmes komunikatës për media, se ka kërkuar nga ZRRE-ja që të mos ndërmarrë hapa që do të dëmtonin më tej bizneset dhe ekonominë e vendit.
Të dy organizatat kanë bërë të ditur se do të përdorin çdo mjet ligjor e institucional për të mbrojtur interesat e bizneseve dhe ekonomisë së Kosovës.