Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë për gjithë konsumatorët

Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë për gjithë konsumatorët

Ekonomia July 30, 2025 - 18:47

Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, ka marrë vendim për të pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që parashihte daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Lajmin e ka bërë të ditur avokatja Blinera Osmani, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se më 29 korrik 2025, gjykata ka nxjerrë Aktgjykimin KA.nr.301/25, i cili ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme për tregun energjetik.

Sipas Osmanit, vendimi i gjykatës:

Anulon pikën IV të vendimit të ZRrE-së nr.275/24, të datës 5 prill 2024;

Anulon tërësisht Njoftimin e ZRrE-së të datës 12 mars 2025 për daljen në tregun e lirë, duke e konsideruar atë të kundërligjshëm;

Pezullon zbatimin e të gjitha këtyre vendimeve deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

Kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët biznesorë të prekur nga ky vendim duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, ku garantohen furnizim i sigurt dhe tarifa të rregulluara, siç ishin përpara 1 qershorit 2025, kur kishte hyrë në fuqi kalimi në treg të lirë.

“Vendimi është i zbatueshëm menjëherë dhe prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik”, ka shkruar Osmani.

“U bëjmë thirrje ZRrE-së dhe të gjithë operatorëve të tregut të energjisë që të respektojnë dhe zbatojnë pa vonesë këtë vendim gjyqësor.”

Ajo theksoi më tej se ekipi i saj ligjor mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të klientëve dhe për të siguruar një zbatim të plotë dhe të paanshëm të drejtësisë.