
Oda Ekonomike letër Presidentes: Rritja e çmimeve të energjisë po godet rëndë industrinë prodhuese
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i është drejtuar sot me një kërkesë publike Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti dhe kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset prodhuese.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, theksohet se kjo është “thirrja e fundit, e sinqertë dhe e përgjegjshme” për të ndaluar një veprim që, sipas tij, po dëmton rëndë ekonominë e Kosovës, duke detyruar bizneset prodhuese të dalin nga tregu i lirë i energjisë.
Sipas OEK-ut, kjo situatë po sjell pasoja të mëdha ekonomike, duke përfshirë rrezikun e mbylljes së fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe shkatërrimin e prodhimit vendor.
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, duke u bazuar në një hulumtim me kompanitë e sektorëve kryesorë, ka evidentuar tri pasoja kryesore të rritjes së çmimit të energjisë:
Kostoja e energjisë për industrinë është rritur mesatarisht tri herë krahasuar me vitin 2024.
Në disa industri, ndikimi në shpenzimet operative ka arritur deri në 44%, duke pamundësuar vazhdimin normal të prodhimit.
Vetëm në sektorin e ndërtimit, kostoja është rritur mbi 5.6 milionë euro, ndërsa në industrinë e ushqimit mbi 1.7 milion euro.
OEK-u paralajmëron se në të njëjtën kohë, po krijohet një konkurrencë e padrejtë në treg, pasi disa kompani janë kthyer në tregun e rregullt përmes pezullimit të vendimit nga gjykatat, ndërsa të tjera mbesin në pritje të vendimeve gjyqësore.
“Janë dhjetëra vendime të Gjykatës Komerciale që vërtetojnë shkeljet ligjore gjatë zbatimit të këtij procesi”, thuhet në letrën e OEK-ut, ndërsa nënvizohet se zbatimi i vendimit në kundërshtim me aktvendimet gjyqësore përbën shkelje të ligjit dhe të parimeve kushtetuese.
Përmes kësaj thirrjeje, OEK kërkon nga institucionet shtetërore të tregojnë përgjegjësi dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur bizneset prodhuese dhe interesin publik.
“Është momenti që të tregoni përgjegjësi para qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës”, përfundon letra drejtuar autoriteteve më të larta të vendit.