
Tregu i lirë energjetik, ZRRE-ja paralajmëron bizneset: Është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) një ditë para se të hyjë në fuqi vendimi për tregun e lirë energjetik rithekson se procesi i hapjes së tregut është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.
Sipas njoftimit të ZRRE-së bëhet e ditur se ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, përmes aktvendimeve që mbështesin veprimet e ZRRE-së, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, raporton Zeri.info.
“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar. Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
ZRRE-ja u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.
“ZRRE-ja mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane”, thuhet tutje.
Ndërkaq, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Sipas njofitmit thuhet se bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.
“Nëse ZRRE-ja nuk merr sot vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike. Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së. /Zëri