
KEDS-i paralajmëron nga nesër shkyçje për bizneset pa kontratë furnizimi me energji
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar se nga nesër, 31 korrik, do të fillojë shkyçjen nga rrjeti të të gjitha bizneseve që nuk kanë një kontratë aktive me një furnizues të licencuar me energji elektrike.
Në njoftimin zyrtar, KEDS-i thekson se veprimi bazohet në Nenin 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullën për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), ku parashihet që furnizimi emergjent për bizneset të mos zgjasë më shumë se 60 ditë pa një kontratë të rregullt.
“Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.
Kjo masë është pjesë e reformës për liberalizimin e tregut të energjisë, e cila kërkon që bizneset të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre nga lista e operatorëve të licencuar nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit për Energji).
KEDS-i thekson se nuk ka rol furnizues, por vetëm vepron si Operator i Sistemit të Shpërndarjes (OSS) dhe është i detyruar të zbatojë vendimet e ZRRE-së.
Kompania apelon te bizneset që ende nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar që ta bëjnë këtë sa më parë, për të shmangur ndërprerjen e energjisë dhe pasojat që ajo sjell për operimin e tyre.
Ndërkaq bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës gjatë ditës së sotme kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE-ja nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Aktualisht, kompanitë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Ky furnizim është i përkohshëm, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar. Afati prej 60-ditësh skadon sot.
Periudha 60-ditore e mbështetjes nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ka nisur më 1 qershor, kur ka hyrë në fuqi vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë një furnizues të licencuar. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.