Kosova ndalon importin e derrave nga Kroacia
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar të mërkurën për ndalimin e përkohshëm të importit të derrave, produkteve dhe nënprodukteve të tyre nga Kroacia, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrit (MAD) në rajonet Osjecko-Baranjska dhe Vukovarsko-Srijemska.

Ky vendim, sipas AUV-it, bazohet në raportimet në sistemet ndërkombëtare të lajmërimit për sëmundjet veterinare, ADIS dhe WOAH, dhe është ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e territorit të Kosovës nga përhapja e kësaj sëmundjeje virale, e cila prek vetëm derrat e butë dhe të egër, por jo njerëzit apo kafshë të tjera.
“Agjencia ka ngritur nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Doganat. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të dyshuar në vend”, thuhet në njoftim.
MAD-i është sëmundje virale shumë ngjitëse që shkakton ethe hemorragjike dhe ka shkallë vdekshmërie deri në 100% te derrat. Ajo përhapet përmes kontaktit direkt mes kafshëve, pajisjeve të ndotura, ushqimit, dhe lëvizjes së njerëzve nga fermat e infektuara.
AUV-i thekson se Kosova deri tani e ka situatën nën kontroll falë punës së inspektorëve veterinarë dhe bashkëpunimit me praktikat private në terren. Monitorimi i fermave dhe zonave të rrezikut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.