
Kosova gjatë qershorit eksportoi mallra mbi 80 milionë e importoi gati 600 milionë euro
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 17,1% në muajin qershor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 498,3 milion euro, krahasuar me deficitin prej 425.4 milion euro në vitin 2024.
Këto të dhëna i ka publikuar sot Agjencia e Statistikave të Kosovës, në të cilën thuhet se eksporti mbulon importin me 13,9%, transmeton Zeri.info.
Eksporti i mallrave në muajin qershor 2025 kishte vlerën 80,4 milion euro, ndërsa importi 578,7 milion Euro, që është një rritje prej 9,5% për eksport, si dhe një rritje prej 16,0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 6,7% e produktet minerale, etj. Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,0% e përbëjnë produktet minerale; 13,2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 8,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 27,6 milion Euro, ose rreth 34,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,4%), Italia (3,3), Holanda (3,2%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,6 milion Euro, ose 43,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,2%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,2%), Polonia (5,2%), Italia (4,7%) etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 36,9 milion Euro, ose 45,9% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,2%2. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (16,9%), Maqedonia e Veriut (15,5%), Mali i Zi (6,3%), Serbia (5,7%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 82,7 milion Euro, ose 14,3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,1%), Shqipëria (4,8%), Serbia (3,4%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,9 milion euro, ose 19,8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (2,9%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 246,4 milion euro, ose 42,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (13,1%) dhe Turqia (12,6%). /Zëri