Bislimi dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të “Deutsche Bundesbank” diskutojnë për bashkëpunimin e ngushtë me BQK-në
Foto: ZKM

Bislimi dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të “Deutsche Bundesbank” diskutojnë për bashkëpunimin e ngushtë me BQK-në

Ekonomia July 18, 2025 - 13:22

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pritën në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të “Deutsche Bundesbank”, Burkhard Balz dhe ekipin e tij.

Sipas një njoftimi për media gjatë takimit, Balzi përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në sektorin makroekonomik dhe financiar.

“Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi për arritjet si dhe vlerësimet pozitive të ardhura për Kosovën edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Më tej u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet ‘Bundesbank’ dhe Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë mbështetjen që kjo bankë gjermane ka dhënë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Gjithashtu, u bisedua rreth mbështetjes së mëtejme për proceset e anëtarësimit të BQK-së në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet e fundit në fushën e projekteve digjitale dhe inovacionit financiar”, thuhet në njoftim.

Tutje, siç thuhet në njoftim, Bislimi ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur Bankën Qendrore të Kosovës edhe në shërbim të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si “Bundesbank”.

“Gjatë këtij takimi z. Balz u informua edhe mbi punën intensive që institucionet tona kanë zhvilluar rreth anëtarësimit në SEPA, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi sikurse vendet e tjera të rajonit, por e cila aktualisht ka ngecur si shkak i dërgimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita”, bëhet e ditur ndër të tjera në njoftim.

Image