Dalja në treg të lirë, OEK-u njofton për aktgjykimin e tretë që anulon njoftimin e ZRRE-së
Foto: Laura Hasani

Dalja në treg të lirë, OEK-u njofton për aktgjykimin e tretë që anulon njoftimin e ZRRE-së

Ekonomia June 27, 2025 - 14:49

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar për aktgjykimin e tretë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, i cili anulon njoftimin e ZRRE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë.

Sipas OEK-ut, ky zhvillim konfirmon se bizneset kishin të drejtë kur ngritën zërin kundër padrejtësive të ZRRE-së.

“Me vendimin e parë të Gjykatës komerciale u dëshmua se e drejta është në anën e bizneseve, mirëpo vendimet tjera janë duke e përforcuar të drejtën e bizneseve të Kosovës.

Konsiderojmë se tanimë ka mjaftueshëm fakte që ZRRE të reflektoj dhe me këtë bëjmë thirrje ZRRE-së që ta pezullojë menjëherë njoftimin për daljen në tregun e lirë, përpara se të krijohen pasoja edhe më të rënda për biznesin, sidomos ndikimin negativ në konkurrueshmërinë e tregut, sepse tanimë ka biznese që ndikohen nga njoftimi, por që nuk kanë vendim nga Gjykata Komerciale e Kosovës”, thuhet në një njoftim të kësaj ode.

Oda Ekonomike e Kosovës inkurajon të gjitha bizneset që ndihen të dëmtuara nga ky vendim të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre.

Për ata që kanë nevojë për asistencë juridike, OEK-u tregon se ka themeluar një ekip juristësh i cili po ndihmon bizneset e prekura nga vendimi i ZRRE-së në përpilimin e akteve juridike kundër njoftimit të ZRRE-së.