
Kurti e Murati takojnë drejtues të Odës Ekonomike të Gjenevës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë, Hekuran Murati, kanë pritur në takim një delegacion të Odës Ekonomike të Gjenevës, të drejtuar nga Kryetari i saj, Vincent Subilia, e të përbërë nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, si arkitektura, menaxhimi i aseteve, pasuritë e paluajtshme, industria ushqimore, energjia dhe shërbimet juridike.
Përmes një njoftimi është bërë e ditur se gjatë takimit, anëtarët e Odës Ekonomike të Gjenevës u njoftuan për trendet ekonomike në Kosovë dhe performancën makroekonomike të vendit.
“Gjatë katër viteve të fundit ekonomia ka shënuar një rritje mesatare vjetore prej 6% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti rritja ka qenë 3.6%. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit u informuan gjithashtu se Kosova ka marrë për herë të parë një vlerësim kreditor sovran nga agjencia Fitch Ratings me notën BB-, e cila është rikonfirmuar edhe në vitin 2024”, thuhet në njoftim.
Më tej, thotë qeveria se mysafirët nga Gjeneva u njoftuan edhe me karakteristikat dhe përparësitë e Kosovës për investime të huaja. “Si kostoja e ulët operative, mosha e re e popullatës, aftësia e fuqisë punëtore për të folur shumë gjuhë, sidomos anglisht dhe gjermanisht, dhe shkathtësitë në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit”, thuhet tutje në njoftimin qeveritar.
bëhet e ditur se pjesë e diskutimit ishte edhe roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit, ku sipas qeverisë diaspora u paraqit potencial për investime në sektorin e prodhimit, përmirësimin e eksporteve dhe forcimin e brendit kombëtar.
“Në fund të takimit, u diskutuan mundësi të mëtejshme për bashkëpunim konkret ekonomik dhe përfshirja e bizneseve anëtare të Odës Ekonomike të Gjenevës në sektorë të caktuar në Kosovë”, njoftoi qeveria.
