
AUV-i ndalon importin e deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se nga e mërkura do të ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut pas konfirmimit të prezencës se sëmundjes “Gjuha e Kaltër”.
Kjo masë është e përkohshme, teksa AUV-I u bën thirrje fermerëve të cilët lëshojnë bigëtit në zonat e brezit kufitar me Maqedoninë e Veriut të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre.
“Të shmangin kontakte me kafshët e tufave nga ky vend. Të gjitha autoritetet të ndihmojnë në respektim të masave strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të respektojnë urdhëresat për të ruajtur shëndetin e tufave të tyre”, thuhet në njoftim.
AUV-i njofton se kjo sëmundje nuk transmetohet nga kafshët te njeriu dhe as nga kafsha në kafshë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është mobilizuar qe të mbikëqyrë me rreptësi masat e vendosura dhe ta parandaloj përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. Përderisa kemi dy sëmundje të ndryshme prezentë në dy vendet fqinjët, e të cilat prekin të njëjtat lloje të kafshëve Dele, Dhi. Kërkojmë qe fermerët të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre. Njëkohësisht mbi çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve ne tufë, të njoftojnë menjëherë veterinarian”, thuhet ndër tjera. /Zëri