
OEK-u prezanton një aktgjykim tjetër që anulon njoftimin e ZRRE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar për një aktgjykim të dytë brenda dy ditësh të Gjykatës Komerciale, i cili anulon njoftimin e ZRRE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë.
OEK-u thekson se ky zhvillim tregon qartë se bizneset kanë pasur të drejtë kur kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive të ZRRE-së.
“Oda Ekonomike e Kosovës inkurajon të gjitha bizneset që ndihen të cenuara nga ky vendim që të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre. Çdokush që ka nevojë për asistencë, brenda Odës është themeluar një ekip juristësh që do të ndihmojë në draftimin e akteve kundër njoftimit të ZRRE-së”, thuhet në njoftim.
OEK-u tutje i bën thirrje ZRRE-së që ta pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë, përpara se të krijohen pasoja edhe më të mëdha për biznesin, ekonominë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.