Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it
Foto: Zëri

Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it

Ekonomia April 24, 2025 - 20:12

Të enjten pasdite është shkarkuar kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Shkarkimi i tij vjen vetëm një ditë pasi në emisionin Debat Plus të këtij televizioni u shpalosën dyshime për kompani energjetike me veprimtari të “dyshimtë”, që kanë bërë shitblerje të rrymës me KEK-un dhe KOSTT-in.

Zeqiri u shkarkua në mbledhjen e sotme të bordit të drejtorëve, me anëtarë Gëzim Tosuni, Rejhane Zylfijaj, Lumnije Aliu, Sead Mujovi.

Siç mëson Dukagjini, ish-anëtarët e bordit të këtij institucioni tashmë kanë dërguar dosje në prokurori për dyshime për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga i njëjti.

Dukagjini ka provuar të konfirmojë zyrtarisht lajmin, por deri në këto momente nuk kanë kanë kthyer përgjigje as nga Ministria e Ekonomisë as vetë Evetar Zeqiri.

Kujtojmë se në tetor të vitit 2022, bordi i drejtorëve të KOSTT-it e kishte emëruar Zeqirin në këtë post.