Ja si do të jetë struktura e re e çmimeve për katër tarifat
Me pesë vota për e asnjë kundër, janë miratuar tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut, tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes dhe tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka bërë të ditur se nga 1 maji i këtij viti qytetarët do të paguajnë rrymën me shtrenjtim prej 16,1%. Po ashtu ai tha se rritja është për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Sipas rendit të ditës, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratuar Tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT) – të cilat përcaktojnë koston për transmetimin e energjisë elektrike përmes rrjetit të Operatori të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut. Tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSH) – që lidhen me shpenzimet për shpërndarjen e energjisë nga rrjeti i operatorit të shpërndarjes deri te konsumatori fundor. Tarifat për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) – që përfshijnë çmimet e ofruara për konsumatorët që furnizohen me energji në kuadër të shërbimit universal.
Sipas listës së paraqitur sot në mbledhjen e ZRRE-së, secila prej katër tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët është shtrenjtuar.
Nga 7.79 centë ka mbërritur në 9.05 centë për kilovat tarifa e ditës për ata që shpenzojnë më pak se blloktarifa prej 800 kilovatësh në muaj.
Tarifa e natës për ata që shpenzojnë më pak se blloktarifa prej 800 kilovatë në muaj nga 3.34 centë ka mbërritur në 3.88 centë për kilovat.
Për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh, çmimi për tarifën e ditës ka shkuar nga 13.29 centë në 15.43 centë, ndërsa ajo e natës nga 6.27 centë në 7.28 centë.