
Qytetarët mendojnë se edhe Kosova mund të preket nga tarifat e reja të Trumpit
Kosovarët janë të shqetësuar për ndikimin e tarifave të reja prej 25% që presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur për importet nga Meksika dhe Kanadaja, të cilat janë futur në fuqi më 4 mars 2025.
Sipas qytetarëve, këto masa mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, edhe pse vendi nuk ka tregti të madhe me këto shtete.
Zymber Mramori ka thënë se Kosova do të preket nga këto tarifa, duke pasur parasysh nivelin e ulët të pagave dhe pensioneve, dhe ka apeluar për masa paraprake.
“Sipas lajmeve do të preket edhe Kosovës, prej këtyre tarifave edhe vendin ynë do të preket, kështu do të ndikojë edhe tek ne, shpresojmë që jo shumë. Tek ne ndikon më shumë reflektohet sepse ne jemi më të dobët, i kemi pagat e ulëta, pensionet gjithashtu. Po frikohet të gjitha shtetet e tij e lëre ne, edhe pse nuk kemi një tregti të madhe por do të ndikojë sigurisht. Duhet me marrë masa me shikuar se çka po marrin shtetet tjera, por ne nuk mundemi me gjë sepse nuk keni një ekonomi të zhvilluar por duhet të jemi të kujdesshëm me ekspertet me pyet se çka duhet më bë në këto raste”, ka thënë Mramori.
Nga ana tjetër, Zafer Beqiri ka theksuar se Kosova është një shtet i vogël dhe ekonomia e saj është e varur nga importet, duke i përballuar çmimet e larta me mundësitë e kufizuara.
“Çka do të ndikojë tek ne kur nuk ka asnjë ekonomi, jetojmë sot për nesër. Do të ketë shtrenjtimi mund të ndikojë edhe tek ne por ne jemi bisht i qitelisë. Nuk janë të përballueshme çmimet por po i përballojmë si po mundemi. Nuk janë të duhura çmimet me pagat e punëtorëve janë shumë të ulëta, çmimet janë të larta, jetojmë si po mundemi”, tha ai.
Ai ka shtuar se tarifat e reja mund të ndikojnë, por nuk pritet që të ketë ndryshime të mëdha për shtetin.
“Me Trump nuk mundemi të shtyhemi, ne shtet i vogël nuk kemi mundësi më shumë me zhvilluar, nuk do të ndikojë tek ne. Nuk mund të ndryshojë asgjë ne të gjithë importojmë nuk po më fal askush të gjitha gjërat po i blejmë”, ka theksuar ai.