
BQK-ja miraton udhërrëfyesin për zbatimin e procesit të rishikimit mbikëqyrës
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e procesit të rishikimit mbikëqyrës (SREP: Supervisory Review and Evaluation Process), që mundëson zbatimin gradual e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës, duke marrë parasysh specifikat e sektorit bankar, për të siguruar që praktikat mbikëqyrëse të jenë të përshtatshme dhe proporcionale me madhësinë, fushëveprimin dhe kompleksitetin e sistemit tonë bankar.
Qëllimi kryesor i SREP-it, sipas njoftimit të BQK-së, është monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i rreziqeve ndaj të cilave ekspozohen bankat, si dhe krijimi i një strategjie mbikëqyrëse të përshtatshme, që ruan dhe avancon sistemin bankar në tërësi, që i kontributin stabilitetit financiar të vendit.
“Zbatimi i Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka (SREP) është në kuadër të aktiviteteve reformuese në linjë me objektivat e planit strategjik të BQK-së, ndërsa përmbush një nga Pikat Referuese Strukturore që dalin si detyra të BQK-së nga dy Marrëveshjet aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandimeve të dhëna gjatë misionit të FMN në dhjetor 2024, si pjesë e Asistencës Teknike (TA) për Procesin e Rishikimit Mbikëqyrës. Udhërrëfyesi për SREP është përgatitur më mbështetjen e FMN, ku përmes tij BQK ka për qëllim që të përmirësojë sistemin e vlerësimit të rrezikut duke përzgjedhur kriteret përkatëse dhe duke rafinuar udhëzimet për vlerësimin, duke u mbështetur në analizën e rregullt prudenciale të të dhënave dhe për të arritur rezultate më të harmonizuara të vlerësimit të rrezikut. Me këtë, synohet kalimi gradual nga sistemi aktual i vlerësimit CAMELS në SREP, në përputhje me parimet e përcaktuara nga Udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian (EBA), thuhet në njoftimin e këtij institucioni. Udhërrëfyesi për SREP përshkruan planin për trajnimin e personelit, organizimin e konsultimeve dhe bashkëpunimit me bankat vendore dhe palët e tjera të interesit për SREP, si dhe synon caktimin e një afati orientues për zbatimin e plotë të manualit SREP”, thuhet në njoftim.
Në fund, BQK-ja ka falënderuar FMN-në për mbështetjen e dhënë për përpilimin e këtij Udhërrëfyesi si dhe asistencat tjera me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të institucionit.