
Largohet përfundimisht pas 42 vjetësh përvojë pune në “Trainkos”
Sami Halimi është larguar pas 42 vjetësh punë në NP Hekurudhat e Kosovës – “Trainkos” SHA, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se përjashtimi i tij po bëhet padrejtësisht, pasi ka refuzuar ndryshimin e kontratës së tij nga afat i pacaktuar në një kontratë 3-vjeçare.
Halimi, i cili ka filluar punën në hekurudha që në moshën 14-vjeçare, duke zëvendësuar babanë e tij të ndjerë, ka kaluar gjithë karrierën në këtë ndërmarrje.
Sipas tij, vendimi për përjashtim vjen pas ndryshimeve të strukturës organizative të kompanisë, të cilat ai i kundërshtoi, duke u bazuar në këshillën e Inspektoratit të Punës dhe avokatëve që e konsideruan të paligjshëm këtë veprim.
“Unë kam pasur kontratë dhe i kam pesë kontrata me afat të pacaktuar. Prej bordit në këtë pozitë më është ofruar kontrata trevjeçare, kjo për shkeljen e parë, te dytën me është ndërruar vendi i punës. Unë gjithmonë kam qenë punëtor i sigurimit në tren, pas lufte që 24 vite. Më kanë qitë punëtorë të aseteve. Kërkoj të drejtën time, te më jap kontratat siç kanë qenë këto pesë kontrata me afat të pacaktuar dhe të më kthejnë në vendin tim të punës. Këto krejt shkojnë në mënyrë ligjore me avokat”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe “Trainkos”, ku ka theksuar se punëtori në fjalë nuk është larguar nga puna, por i njëjti ka refuzuar te nënshkruaj kontratën e punës e cila ka pagën e njëjtë sikurse paraprakja por me rastin e sistematizimit i është shuar pozita e punës prandaj kontrata e re vije me terma te ri, detyra tjera te punës për page te njëjtë sipas Rregullores se Sistematizimit e që derivon nga pozita paraprake e punës.
“Punëtori Sami Halimi ka refuzuar të nënshkruaj kontratën e punës pas sistemimit në pozitën Punëtor i Sigurimit Fizik të Objekteve/Aseteve në Transportin e Udhëtarëve, si rezultat i saj ndërmarrja Trainkos sipas procedurave që obligojnë në këtë rast ia ka ndërprere marrëdhënien e punës sipas Vendimit të datës 28.02.2025”, thuhet në reagimin e “Trainkosit”.