Me shtrenjtimin e energjisë elektrike do të pësojnë prodhuesit vendorë
Foto: Laura Hasani

Me shtrenjtimin e energjisë elektrike do të pësojnë prodhuesit vendorë

Ekonomia March 03, 2025 - 09:01

Përfaqësues të bizneseve dhe njohës të çështjeve të ekonomisë thanë se nëse do të ketë një rritje tjetër të çmimit të energjisë elektrike prej 30 deri në 35%, siç edhe është paralajmëruar, më së shumti do të pësojnë bizneset prodhuese në Kosovë e rrjedhimisht edhe qytetarët të cilët përveçse do të paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë, do të kenë edhe produkte më të shtrenjta, duke përfshirë ato esenciale, siç është buka.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi, thotë se nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, që pritet të ndodhë në muajin prill, më së shumti do ta pësojnë bizneset prodhuese të cilat e kanë të pamundur që të operojnë dhe të mos i rrisin çmimet e produkteve të tyre.

“Nëse rritet çmimi i energjisë atëherë qysh ka me i bërë konkurrencë prodhuesi vendor i importit”, tha Krasniqi.

Në fund të fundit, Krasniqi shton se Qeveria e Kosovës ka në dorë ta shtrenjtojë ose jo energjinë elektrike.

“Po, Qeveria ka përfaqësuesit e vet në ZRRE dhe ajo mund të marrë vendim që të mos rritet çmimi i energjisë të dëgjoj zërin tonë”, tha ai për rtv21.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lekë Musa, thotë se marrë parasysh se ekonomitë familjare në Kosovë janë duke shpenzuar më shumë energji për ngrohje, çdo rritje e çmimit të saj do të godasë direkt xhepin e tyre.

“Nëse në nxehemi me klima zgjidhja për problemin e energjisë nuk do duhej të ishte shtrenjtimi i saj por përmirësimi i kapaciteteve prodhuesve”, tha Musa.

Ndryshe që nga viti 2021, Kosova ka blerë energji elektrike mbi 500 milionë euro, ndërkohë që qytetarët stepur nga faturat e larta dhe të papërballueshme të energjisë elektrike edhe para se operatorët energjetik të publikonin kërkesat për shtrenjtim të energjisë elektrike deri në 35%.