
Rritja e tarifave të energjisë, goditje e rëndë për bizneset dhe ekonominë e Kosovës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës kundërshton rritjen e tarifave të energjisë elektrike Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me propozimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, i cili pritet të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe në sektorin privat.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike sipas tyre do të rëndojë ndjeshëm bizneset prodhuese dhe ato të shërbimeve, duke rritur kostot operative dhe duke ulur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Një vendim i tillë do të krijojë një efekt zinxhir, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve. LBK thekson se një rritje e tillë e tarifave do të detyrojë bizneset të përballen me kosto shtesë, gjë që mund të çojë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, ulje të investimeve dhe, potencialisht, humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë negativisht në stabilitetin ekonomik dhe në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë. Nëse rritja e çmimit të energjisë bëhet realitet, bizneset do të detyrohen të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi për sektorin privat. Për më tepër, një situatë e tillë mund të ndikojë në uljen e eksporteve dhe në zvogëlimin e interesit të investitorëve të huaj për tregun tonë. Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë këtë propozim dhe të shqyrtojnë alternativa të tjera që nuk do të rëndojnë më tej bizneset dhe ekonominë e vendit. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë me kujdes këtë çështje dhe të sigurojnë që bizneset të mos përballen me një barrë të papërballueshme financiare. LBK do të vazhdojë të mbrojë interesat e sektorit privat dhe të angazhohet për politika të qëndrueshme ekonomike që nxisin zhvillimin dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës. Lidhja e Bizneseve të Kosovës”, thuhet në njoftim.