
“Rritja 35% e çmimit të energjisë elektrike mund të miratohet në heshtje”
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se ekziston rreziku që në heshtje të miratohet rritja e tarifës së energjisë elektrike deri në 35% më shumë krahasuar me çmimin e furnizimit në vitin 2024.
Kjo pasi operatorët e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke përfshirë KEDS-in, KESCO-n dhe KOSTT-in, kanë adresuar një kërkesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritje të tarifave, që sipas Gërxhaliut një rritje e tillë do të ketë pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale.
“Ditëve të fundit po qarkullon informata që operatorët e furnizimit me energji elektrike, siç është KEDS, KESCO dhe KOSTT, kanë adresuar një kërkesë në ZRRE për ngritje të tarifave për energji elektrike. Kjo ngritje kërkohet që të jetë afër 35 për qind krahasuar me çmimin e furnizimit në vitin 2024, e sfidon Kosovën ën shumë aspekte. Në aspektin ekonomik është një barrë e pa përballuar, në aspektin social është një goditje për sektorin privat dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë ai.
Sipas tij, kërkesa për rritjen e tarifave vjen si rezultat i një buxheti të parashikuar për furnizimin me energji elektrike prej 545 milionë euro, një rritje prej 145 milionë euro krahasuar me vitin 2024.
“Këtë vit kërkohet të ketë të hyra të zotuar për furnizim me energji elektrike prej 545 milion euro, është një e dhënë shqetësuese vetë fakti që kjo rritje është me e larta për afër 145 milion euro, është një ngarkesë buxhetore që do të thotë do të fuqizohet edhe më tepër importi, do të fuqizohet edhe me tepër konsumi, por jo zhvillimi dhe qëndrueshmëria ekonomike. Tre operatoret kryesor që merren me furnizimin, transiminon dhe bartje të energjisë elektrike i kanë rritur kërkesat e veta të adresuara zyrtarisht në ZRRE”, ka thënë ai për Ekonomimë Online.
Gërxhaliu ka thënë se në kërkesat e adresuara në ZRRE, KESCO kërkon një buxhet prej 440 milionë eurosh për furnizim me energji për vitin kalendarik 2025, një rritje prej 40 milionë eurosh krahasuar me 2024.
Ndërkohë, KEDS synon të rrisë buxhetin nga 120 milionë euro në mbi 200 milionë euro, ndërsa KOSTT kërkon ta rrisë buxhetin e vet nga 80 milionë euro në 100 milionë euro.
Gërxhaliu ka kritikuar mungesën e transparencës dhe debatin e kufizuar publik mbi këtë çështje, duke paralajmëruar se tarifat e reja mund të miratohen pa diskutim të gjerë.
“KESCO kërkon të ketë një buxhet prej 440 milionë euro, për furnizim me energji elektrike për një vit kalendarik dhe parashihet se një buxhet i tillë të jetë i destinuar për KESCO që nga 1 prilli i viti 2025 dhe ka periudhë kohore një vjeçare që është 40 milionë me shumë sesa në vitin 2024. KEDS ka një kërkese që të shtohet buxheti për 85 milion euro për vitin 2025, që do të thotë ka qenë 120 milionë euro, dhe të behët me tepër se 200 milion euro. KOSTT nga 80 milion euro, për vitin 2025 100 milion euro që është vërtet një ngjarjes e cila do të jetë goditje për qytetaret e Kosovës. Duke pasur parasysh që mungon transparenca, që mungon një debat publiko privat dhe krejt kjo çka e ka përcjell furnizimin me energji elektrike, ku më tepër është privatizuar furnizim se sa që është institucionalizuar, besoj që në heshtje do të miratohet një tarife e tillë”, ka thënë ai.