
ZRRE-ja reagon pas raportimeve për rritje të çmimit të energjisë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj raportimeve për rritje të çmimit të energjisë.
Sipas njoftimit, thuhet se KOSST, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në përputhje me kërkesat ligjore.
ZRRE-ja thotë se përgjigjë do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuar dhe se më pas do të hartohet një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse.
“Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
ZRRE-ja ka ftuar të gjithë qytetarët dhe palët e interesuar që të ndjekin raportet dhe zhvillimet në lidhje me këtë çështje. /Zëri