Si u keqpërdorën 230 mijë euro bileta të trenit nga punëtorët e “Trainkos”?
Foto: Laura Hasani

Si u keqpërdorën 230 mijë euro bileta të trenit nga punëtorët e “Trainkos”?

Ekonomia January 30, 2025 - 20:38

12 punonjës të ndërmarrjes publike “Trainkos” janë përjashtuar nga kjo ndërmarrje, pasi që dyshohet se i kanë shkaktuar dëm në vlerë mbi 230 mijë euro. Krejt kjo sipas “Trainkos” të cilët thonë se përmes një hetimi të brendshëm zbuluan se ka pasur ndërhyrje dhe manipulim të të dhënave në arka fiskale.

Trenin po e presin në stacionin e Fushë-Kosovës.

E mjeti i udhëtimit, arriti me kohë. Por, paratë me të cilat e paguan biletën e trenit këta udhëtarë, nuk shkuan në arkën e Ndërmarrjes Publike “Trainkos”.

Kjo pasi zyrtarët e kësaj të fundit, zbuluan se 12 punëtorë të tyre janë duke manipuluar me arkat fiskale.

“Janë bërë leximet e të dhënave të të gjitha arkave fiskale. Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore”, kanë deklaruar nga “Trainkos”.

Për këtë arsye, “Trainkos”-i njoftoi të enjten se 12 punonjësve iu është shkëputur kontrata e punës.

Ndërsa e bën të ditur edhe dëmin e shkaktuar.

“Nga raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh, dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e pa lexuara dhe shuma totale pas kësaj”.

“Trainkos” i bëri thirrje publike prokurorisë së vendit, që për këtë rast t’i nis hetimet.

Por, këta të fundit bën të ditur se nuk janë njoftuar për rastin.

Krejt kjo në një përgjigje me shkrim për Tëvë1.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk është njoftuar dhe nuk ka pranuar ndonjë lëndë në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigje.

Në fund, “Trainkos” ka thënë se 12 punëtorët nga viti 2016 deri në vitin 2024, i resetuan pajisjet duke i fshehur të dhënat reale të shitjeve.