Kelmendi: Zjarri në Suharekë më shkaktoi dëme mbi 3 milionë euro
Afaristi Ramiz Kelmendi ka bërë të ditur se një zjarr i madh ka përfshirë një pikë të qendrës tregtare ETC në Suharekë, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme që kapin shifrën e mbi 3 milionë eurove.
Sipas Kelmendit, zjarri ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, më 19 janar 2025, në depo të objektit, duke dëmtuar një sipërfaqe prej rreth 10 mijë metrash katrorë.
“Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, (mbi 3 milion), ku siperfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katror”, ka shkruar Kelmendi.
Fatmirësisht, nuk ka pasur lëndime në njerëz apo të punësuarit në këtë objekt.
“Kam një pikëpyetje të madhe se si të mbrohem nga këto dëme në vazhdimësi, si t’i përballoj emocionalisht dhe financiarisht. Mbetem me shpresë që organet e rendit dhe sigurisë të merren me këto raste,” tha Kelmendi.
Ai ngriti shqetësime mbi mungesën e reagimit efektiv të sistemit të monitorimit vizual, duke theksuar papërgjegjësinë në tri rastet e mëparshme ku ka ndodhur e njëjta situatë.
Kelmendi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të larguar çdo dyshim mbi shkakun e zjarreve, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme, si dhe për të siguruar që incidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.