Brenda ditës Kosova furnizohet me tre milionë litra naftë

Brenda ditës Kosova furnizohet me tre milionë litra naftë

Ekonomia January 03, 2025 - 09:00

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, kishte thënë në fillim të vitit se trendi i çmimeve të derivateve do të jetë në rritje, por jo e theksuar.

Mirëpo gjatë tërë vitit kosovarët po del të jenë shërbyer me çmimet më të lira në rajon.

Kjo pasi nafta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë pati dallim me 70 centë, ndërsa me Serbinë për 60 centë.

Historikisht në tregun shqiptar nafta ka qenë më e lirë se benzina, por për cilën arsye?

Kjo është e natyrshme pasi benzina ka kosto më të lartë prodhimi dhe duke qenë se është derivat i naftës dhe kërkon përpunim më të thellë, për pasojë do të ketë edhe çmim më të lartë në shitje.

Rreth situatës aktuale se si sillet çmimi i derivateve në Kosovë lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Berjani thotë se Kosova ka furnizim të derivateve me naftë brenda 24 orëve, ku sipas tij operojnë rreth 100 autobote.

Ai ka treguar një përllogaritje, ku sipas tij brenda këtyre 24 orëve Kosova furnizohet me tre milionë litra naftë, brenda muajit me 90 milionë litra, ndërsa brenda vitit, siç thotë ai, i bie një miliard e tetëdhjetë milionë litra.

I pyetur rreth çmimeve të derivateve përgjatë këtij viti, ai thotë se kanë qenë më stabile, krahasuar me vitet paraprake.

“Sa i përket sa ka shtrenjtime të derivateve të naftës, këtë vit derivatet kanë qenë me çmime shumë më stabile se në vitet paraprake”, ka thënë Berjani.

Ndryshe, çmimi i naftës në Kosovë është rreth 1.20 centë dhe 1.28 centë, ndërsa e benzinës 1.22 centë dhe 1.29 centë, për dallim nga rajoni, në Shqipëri dhe Serbi, ku çmimet kanë “fluturuar”.

“Çmimet sillen përafërsisht, dizeli 1.20 centë deri 1.28 centë, benzina 1.22 centë deri 1.29 centë, kurse çmimet në regjion, në Shqipëri dizeli 1.89 centë, benzina 1.90 centë, në Serbi dizeli 1.80 centë, benzina 1.81 centë”, thotë ai.

Mirëpo Berjani nuk e hedh poshtë mundësinë se mund të ketë rritje të çmimeve, pasi, siç thotë, ka në vazhdimësi lëvizje në brezat ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut në rajon mbetet lidere sa u përket çmimeve të naftës, pasi ka akcizë më të ulët.

E të njëjtën gjë në lidhje me Maqedoninë e Veriut e thotë edhe Berjani, i cili shprehet se Maqedonia e Veriut ka naftën më të lirë për shkak të akcizës më të ulët, kurse e kundërta, benzina mban të njëjtin çmim sikurse në Kosovë.

Sipas tij, çmimi real dhe më i përshtatshëm për qytetarët do të ishte 1 euro, porse çmimi përcaktohet nga berza dhe organizata prodhuese OPEC.

“Përveç Maqedonisë Veriore, që e ka dizelin më të lirë, sepse e ka akcizën më të ulët se ne, a benzina është çmimi si te ne në Kosovë. Çmimi real dhe i përshtatshëm për qytetarin tonë kishte me qenë 1€, po çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC”, shprehet Berjani.