Mbi 400 mijë fëmijëve dhe 300 mijë pensionistëve u dalin shtesat prej 100 eurosh
Murati njofton se transferet e shtesave dhe pagave për shërbyesit publikë janë procesuar me sukses.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë procesuar pagat për shërbyesit publik dhe shtesat e njëhershme prej 100 euro për skemat pensionale dhe fëmijët deri në moshën 16-vjeçare.
“Pas një pune maratonike të stafit në Ministrinë e Financave, sot kemi ekzekutuar: pagat për shërbyesit publikë, shtesën prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç që marrin shtesa, dhe shtesën prej 100 euro për të gjithë përfituesit e skemave pensionale, përfshirë kategoritë e luftës,” ka deklaruar Murati.
Sipas ministrit, përfitues janë mbi 400 mijë fëmijë, rreth 300 mijë pensionistë dhe mbi 83 mijë shërbyes publikë, me një total prej 140 milionë euro të shpërndara brenda një dite.
Murati falënderoi stafin e ministrisë dhe Bankën Qendrore të Kosovës për angazhimin e tyre, duke theksuar se transferet janë ekzekutuar para fundjavës.
Ai sqaroi se përfituesit do të marrin mjetet në llogaritë e tyre varësisht nga banka ku janë klientë.
“Varësisht nga banka ku keni llogarinë, do të pranoni edhe mjetet në llogari, disa më herët e disa më vonë, por e rëndësishme që transferi tashmë është ekzekutuar”, ka shtuar Murati.