Blerësit ankohen për çmimet: Tregtarët thonë se ka vështirësi në furnizim
Foto: Laura Hasani

Blerësit ankohen për çmimet: Tregtarët thonë se ka vështirësi në furnizim

Ekonomia December 21, 2024 - 23:54

Festat e fundvitit kanë rritur edhe çmimet në treg. Kështu thonë qytetarët të cilët ankohen se çmimet e produkteve në prag të festave janë më të larta së zakonisht.

Halil Gashi të shtunën doli në Tregun e Gjelbër në Prishtinë. Si zakonisht, ai u furnizua më gjëra të nevojshme. Por jo si zakonisht çmimet në treg i gjeti të njëjta. Ai thotë së në prag të festave edhe çmimet janë më të larta.

“Ka rritje të çmimeve, pagat, pensionet janë të ulët”, tha ai.

Ankesa se në prag të festave të fundvitit janë vërejtur rritje të çmimeve, e thonë edhe blerës të tjerë.

“Nuk kanë faj këta por kanë ata lartë që nuk i kontrollojnë”, thekson njëri nga blerësit.

Por jo të gjithë kanë ankesa.

“Janë pak më të larta por jo shumë. Në disa produkte, jo të gjitha. Kryesisht janë të njëjta”, ka thënë tjetri blerës.

Por, tregtarët thonë së rritja është e lehtë. Sipas tyre, ndër shkaqet e rritjes janë kërkesat e larta dhe mungesa e furnizimit ne treg.

“Ka shumë kërkesa e vështirësi në furnizim. Nuk ka rritje, vetëm në disa produkte si në banane, mandarinat. Kryesisht rritja është deri në 10 cent”, thekson tregtari Beqir Avdiu.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit për muajin nëntor janë më të larta për 0.7%, sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /rtk