![Mundësitë për investimet e huaja, Kurti takon delegacionin e bizneseve nga Izraeli](/uploads/zeri.info/images/2024/December/19/auto_albini-izraelitet-e1734632164674-780x4391734632714.jpg)
Mundësitë për investimet e huaja, Kurti takon delegacionin e bizneseve nga Izraeli
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot një delegacion të bizneseve nga Izraeli të profilizuara në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, teknologjisë dhe prodhimit.
Delegacioni udhëhiqej nga Eyal Waldman, Drejtues i Waldo Holdings, njëherësh Konsull nderi i Republikës së Kosovës në Izrael.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti i njoftoi përfaqësuesit e kompanive me ofertën që vendi ynë ka për investitorë të huaj, leverditë e kornizës ligjore, përparësitë e fuqisë punëtore, dhe progresin ekonomik dhe demokratik krahas stabilitetit institucional që vendi ka shënuar në katër vitet e fundit.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e hapura në Kosovë për investime të huaja.
Kryeministri veçoi planet dhe investimet që vendi po bën në infrastrukturë, me theks në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, ku pas ankandit të suksesshëm me energji solare, dje u hap ankandi i ri për energji të erës me kapacitet 100MW.
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2024/December/19/auto_ZKM-19-12-2024-1-1536x10241734632723.jpg)