Kurti, pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Konventës së Drurit
Foto: ZKM

Kurti, pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Konventës së Drurit

Ekonomia November 26, 2024 - 13:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 7-të të Konventës së Drurit, e organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e saj.

Para të pranishmëve, në fjalën e tij hyrëse kryeministri Kurti tha se industria jonë e përpunimit të drurit ka parë rritje mbresëlënëse, ku eksportet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti kanë arritur nivelin total të vitit të kaluar.

Image

“Ne kemi rreth 1,000 kampionë të mobilerisë, që formësojnë aktivisht këtë sektor, një dëshmi e përkushtimit, produktivitetit dhe krijimtarisë së tyre. Zvicra kryeson si destinacioni kryesor për eksportet tona të mobileve, e ndjekur nga Gjermania. Pra, me plot gojën mund të themi se Kosova po e gdhend një vend të veçantë në tregun global”, u shpreh kryeministri Kurti.

Image

Ai tha se si shtet, aspirojmë që të jemi më të mirët në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në demokraci, sundim të ligjit, pluralizëm politik, të drejta të njeriut, rritje të brutoproduktit vendor dhe shifra tregtare, por edhe në kultivimin e një fryme të inovacionit e të bashkëpunimit

Duke potencuar faktin se industria e përpunimit të drurit në Kosovë po fiton vëmendje të madhe, Kryeministri përmendi disa faktorë të rëndësishëm, si vendndodhjen strategjike, potencialin bashkëpunues, si dhe talent krijues, faktorë këta, të cilët japin mundësi për zgjerim të investimeve në këtë sektor. Gjithashtu, edhe marrëveshja jonë e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, e forcon më tej pozicionin tonë, duke hapur dyer që Kosova të luajë një rol qendror në tregjet rajonale dhe globale, tha ai.

Image

“Strategjia jonë kombëtare për zhvillimin e këtij sektori (të drurit) e ka mbështetjen e plotë të secilës ministri, jo vetëm thjeshtë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po të secilës ministri, të secilës drejtori edhe timin si kryeministër, tek i cili nuk duhet ta shihni vetëm dikë që garanton me sundim të ligjit konkurrencën e lirë dhe fer, por gjithashtu edhe bashkëpunimin e partneritetin si një infrastrukturë politike e institucionale për rritjen tuaj biznesore dhe ekonomike”, deklaroi kryeministri Kurti.

Në përfundim të fjalës së tij, ai tha se, shkathtësia për të ndryshuar, qëndrueshmëria dhe inovacioni - këto nuk janë thjesht fjalë; ato janë thelbi i identitetit tonë. Këto vlera e bëjnë Kosovën vendin e duhur për të investuar, bashkëpunuar dhe për t’u rritur.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

E nderuara znj. Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

I nderuari z. Zenel Kelmendi, kryetar i Bordit të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës,

E nderuara znj. Arjeta Vula Pozhegu, drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës,

Të nderuara ambasadorë të Suedisë dhe të Luksemburgut në Kosovë, z. Westerlund dhe z. Dietz,

Të nderuara anëtarë të diasporës sonë nga Zvicra, Gjermania, Norvegjia dhe Luksemburgu,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve nga Shqipëria dhe rajoni,

Anëtarë të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Mirëdita, mirë se vini e mirë se ju gjej në edicionin e 7-të të Konventës së Drurit këtu në Prishtinë, të organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e saj. Urime e përgëzime!

Para se të filloj, më lejoni të them këtë: Druri është i fortë, i gjithanshëm edhe i përjetshëm, por neve këtu në Kosovë na pëlqen të mendojmë se njerëzit e Kosovës janë edhe më të përjetshëm edhe më të fortë edhe më të gjithanshëm, sepse janë të qëndrueshëm si askush tjetër, askund tjetër. Në fund të fundit, përderisa druri nën presion mund të lakohet, qytetarët dhe shtetit ynë thjesht ndërtojnë themel të fortë, të palakueshëm për Republikën tonë dhe të ardhmen tonë me veten e tyre. Qëndrueshmëria, siç e dimë të gjithë, është gurthemeli i një shpirti të fortë sipërmarrës, diçka, me të cilën ne mund të krenohemi, veçanërisht kur shohim sukseset e shumta në sektorit tonë të përpunimit të drurit.

Industria jonë e përpunimit të drurit ka parë rritje mbresëlënëse, ku eksportet vetëm në tre tremujorin e parë të këtij viti kanë arritur nivelin total të vitit të kaluar. Ne kemi rreth 1,000 kampionë të mobilerisë, që formësojnë aktivisht këtë sektor, një dëshmi e përkushtimit, produktivitetit dhe krijimtarisë së tyre. Zvicra kryeson si destinacioni kryesor për eksportet tona të mobileve, e ndjekur nga Gjermania. Pra, me plot gojën mund të themi se Kosova po e gdhend një vend të veçantë në tregun global.

Si shtet, aspirojmë që të jemi më të mirët në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në demokraci, sundim të ligjit, pluralizëm politik, të drejta të njeriut, rritje të brutoproduktit vendor dhe shifra tregtare, por edhe në kultivimin e një fryme të inovacionit e të bashkëpunimit.

Kjo aspiratë fillon duke besuar se mund të jemi më të mirët. Duke besuar se mund të jemi më të mirët, bëhemi më të mirët. Pastaj, kërkohet një planifikim i kujdesshëm për ta arritur atë vizion që të bëhemi më të mirët. Dhe, në fund, kërkohet punë e palodhur për ta kthyer atë vizion në realitet, ku ne jemi më të mirët. Këtu në Kosovë, jemi të gatshëm t’i ndërmarrim të tre këta hapa, me shpejtësi, sepse me efikasitet dhe qëndrueshmëri, sepse me seriozitet.

Por, sic e dimë të gjithë, secili nga ne, për shkak të punës që bëjmë, aspiratat nuk mjaftojnë. Për tu spikatur me të vërtetë, duhet të shfrytëzojmë pikat tona të forta, dhe një prej aseteve tona më të ndritura është sektori i përpunimit të drurit.

Industria e përpunimit të drurit në Kosovë po fiton vëmendje të madhe dhe ja pse është një mundësi kaq e mirë për zgjerim të investimeve në këtë sektor, e unë po i përmendi tre faktorë:

- I pari është vendndodhja strategjike e vendit tonë. Kosova është në zemër të rajonit ‘Evropë, Lindje e Mesme dhe Afrikë Veriore’, dhe kësisoj e pozicionuar në mënyrë të përsosur për eksport në tregjet e Bashkimit Evropian dhe të Zvicrës.

- I dyti është potenciali bashkëpunues. Industria jonë e drurit integrohet me sektorë si, metali, qelqi dhe tekstilet, duke krijuar mundësi inovative ndër-sektoriale dhe

- I treti është talent krijues. Jemi shtëpi për dizajnerë të aftë, arkitektë kreativë dhe të diplomuar nga arsimi profesional, që po transformojnë industrinë me ide dhe ekspertizë të re.

Përtej sektorit të drurit, Kosova është një zgjedhje optimale për bizneset që kërkojnë një partner të besueshëm. Me një klimë institucionale e stabile, politika pro-biznes dhe një normë tatimi për korporatat prej vetëm 10%, ndër më të ulëtat në Evropë, ne krijojmë kushte të përsosura për rritje. Gjithashtu le të mos harrojmë që nuk kemi taksë doganore as për lëndë të parë e as për makineri prodhuese.

Nuk kemi taksë në dividentë të korporatave dhe energjia elektrike është më e lira në Evropë me vetëm 7.40 cent të euros për kilowat orë kur kësaj ja shtojmë edhe faktin që marrja e hapësirave me qira për biznes është e lirë dhe fuqia jonë punëtore e re është shumëgjuhëshe, e rrjedhshme në anglisht edhe gjermanisht e shpeshherë edhe në këto gjuhët e rajonit, të Ballkanit, kroatisht, serbisht, boshnjakisht e turqisht natyrisht që duke sjell fleksibilitetin dhe talentin për kompanitë që kanë nevojë për të lulëzuar, s’ka dyshim që Republika jonë e dashur e Kosovës është destinacion fort atraktiv investime në rritje.

Në botën e sotme, ku tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit e bëjnë të rrezikshme zhvendosjen tradicionale, Kosova shquhet fort. Ne nuk ofrojmë vetëm nearshoring, por edhe “friendly-shoring”—një partneritet të ndërtuar mbi vlera demokratike, bashkëpunim me perëndimin dhe stabilitet të vazhdueshëm.

Marrëveshja jonë e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s ku përfshihen jo vetëm mallrat por edhe shërbimet e forcon më tej pozicionin tonë, duke hapur dyer që Kosova të luajë një rol qendror në tregjet rajonale dhe globale.

Fitimi është i rëndësishëm, por qëndrueshmëria është e ardhmja. Në Kosovë, jemi plotësisht të përkushtuar për t’u rritur me përgjegjësi dhe të qëndrueshëm.

Strategjia jonë Kombëtare e Energjisë synon të arrijë 35 për qind përdorim të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030, me investime të rëndësishme si projekti i baterive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me grant prej 232 milionë dollarësh nga gjithsejtë 237 milionë—një nga më të mëdhenjtë për kokë banori në nivel global. Këto përpjekje po hapin rrugën për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme, ndërsa fuqizojnë industri si përpunimi i drurit.

Kam folur tashmë për qëndrueshmërinë dhe frymën sipërmarrëse që i karakterizon qytetarët tanë. Por ka edhe një faktor shtesë që buron natyrshëm nga këto cilësi ekzistuese e kjo është: agjiliteti/shkathtësia, shpirti ndërmarrës—aftësia për t’u përshtatur, përmirësuar dhe për të lulëzuar në një mjedis që ndryshon vazhdimisht.

Sektori i përpunimit të drurit në Kosovë është një shembull i përsosur i kësaj shkathtësie në vepër. Industria jonë ka përvetësuar me shpejtësi standardet ndërkombëtare, është përshtatur për të përmbushur kërkesën e rritur globale dhe ka integruar teknologjitë më të avancuara. Është pikërisht shkathtësia e afaristëve tanë që nxit konkurrencën dhe suksesin tonë në skenën globale.

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Ne populli shqiptar mund të thuhet që jemi popull i vatrës, popull i votrës. Pas gjenocidit të Serbisë në pranverën e vitit 1999, refugjatët që ishin dëbuar u kthyen me shpejtësi rekord tek shtëpitë e tyre të rrënuara. I mbani mend ato pamje ku vetëm oxhaku i shtëpisë kishte ngelur e aty afër vinte tenda e atij që nuk donte të ishte refugjatë, por kthehej në vendlindjen e tij, te shtëpia e tij, në vatrën e tij. Duke qenë popull i vatrës, i votrës, natyrisht që kjo paraqet një avantazh të jashtëzakonshëm edhe për nevojën edhe për dijen që shtëpitë tona të jenë të mira, të jenë të bukura. Ju e dini sa shumë jemi të kujdesshëm ne që ta kemi të bukur e të mirë dhomën e ditës, dhomën e fjetjes, korridorin, dhomën për mysafirë, kuzhinën, shtëpinë. Duke qenë popull i votrës ne e kemi predispozitën themeltare që sektorin e përpunimit të drurit ta shpijmë në nivele të tjera e të reja bashkërisht.

Mbase nuk është e rastësishme që Rilindja Kombëtare shqiptare e fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX, organizatën kryesore e ka pasur me emrin “Vatra”, pra “Votra”. Konformimi jonë, shtet ndërtimi jonë, pavarësia që pason çlirimin është e lidhur shumë me shtëpinë, me vatrën me votrën. Dhe këtë që e shohim në ekonomi është shprehje e drejtpërdrejtë e kulturës tonë kombëtare që tash po bëhet gjithnjë e më tepër e njohur ndërkombëtarisht për shkak se gjithnjë e më shumë ju po eksportoni.

Strategjia jonë kombëtare për zhvillimin e këtij sektori e ka mbështetjen e plotë të secilës ministri, jo vetëm thjeshtë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po të secilës ministri, të secilës drejtori edhe timin si kryeministër, tek i cili nuk duhet ta shihni vetëm dikë që garanton me sundim të ligjit konkurrencën e lirë dhe fer, por gjithashtu edhe bashkëpunimin e partneritetin si një infrastrukturë politike e institucionale për rritjen tuaj biznesore dhe ekonomike.

Në përfundim, shkathtësia për të ndryshuar, qëndrueshmëria dhe inovacioni—këto nuk janë thjesht fjalë; ato janë thelbi i identitetit tonë. Këto vlera e bëjnë Kosovën vendin e duhur për të investuar, bashkëpunuar dhe për t’u rritur.

Të gjithë juve këtu që jeni mbledhur sot, ju drejtoj një ftesë të hapur, e përmes juve edhe atyre që janë me neve, por nuk janë fizikisht këtu: bashkohuni me ne në këtë udhëtim rritjeje dhe transformimi. Kosova është gati të ofrojë infrastrukturën, talentin dhe mbështetjen që projektet tuaja kanë nevojë për të pasur sukses.

Dhe ndërsa jemi seriozë për biznesin, mos të harrojmë edhe anën njerëzore të tij. Pas një dite produktive, do të na gjeni duke u shoqëruar nëpër kafenetë tona dinamike, nganjëherë tepër dinamike, duke shkëmbyer ide, duke ndërtuar lidhje dhe duke forcuar partneritete në një atmosferë relaksuese, por gjithsesi frymëzuese. Pikërisht kjo përzierje e punës së palodhur dhe lidhjeve autentike e bën Kosovën jo vetëm një vend për të investuar, por një vend ku ju dhe biznesi juaj mund të lulëzoni vërtet.

Ju faleminderit shumë për angazhimin, rolin, kontributin që bëni edhe për ekonominë tonë edhe për bizneset tuaja edhe për punësimin e popullsisë.

Le të punojmë së bashku për të krijuar diçka të jashtëzakonshme edhe më të jashtëzakonshme sesa deri më tani.

Ju falemnderit!

Image

Image

Image