Drenasi zonë me kërkesa të mëdha për biznes, Lladrovci: Lehtësime maksimale, 16 kompani aplikuan sivjet për veprimtari ekonomike
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kjo komunë po zhvillohet në aspektin ekonomik dhe se kërkesat për investime nga vendorë dhe të huaj janë shtuar.
Këto komente Lladrovci i bëri në ceremoninë e nisjes së punimeve ndërtimore në parkun industrial të përgjithshëm “Drenas 2”.
Lladrovci ka thënë se është i lumtur që parku i biznesit “Drenasi 2” po ndërtohet në kohën kur të rinjtë po kërkojnë të ardhme jashtë komunës dhe jashtë Kosovës.
“Jam i lumtur që komuna e Drenasit po rikonfirmohet si zemra e Kosovës, komunë që ofron të gjitha mundësitë për të zhvilluar biznes me lehtësime maksimale. Këto 39 hektarë tokë që përmban ‘Drenasi 2’ do të ofrojnë mundësi të reja për investitorë nga vendorë e ndërkombëtar. Nga Qeveria kanë kërkuar shpronësim edhe të 25 hektarëve tokë në këtë zonë, e cila është me kërkesa të mëdha për biznes”, tha Lladrovci.
Ai tha se Komuna e Drenasit ka pranuar 16 kërkesa të rëndësishme nga kompanitë vendore dhe ndërkombëtare për prona që duan të zhvillojnë veprimtari ekonomike.
“Në këtë vit kalendarik si komunë kemi pranuar 16 kërkesa të rëndësishme nga kompanitë vendore dhe ndërkombëtare për prona që duan të zhvillojnë veprimtari ekonomike. Këto investime kualifikohen të jenë mbi 40 milionë euro dhe mbi 1000 vende pune. Është dëshmuar se iniciativat private i kanë dhënë hov zhvillimit të ekonomisë dhe shtetit, ndërsa si pushtet lokal janë në shërbim të ndërmarrësisë për të ngritur mirëqenien e qytetarëve. Sot është ditë e shënuar për komunën e Drenasit dhe Kosovën dhe ky gur themel do të shërbejë si ogur i gatishmërisë tonë në shërbim të zhvillimit të vendit, Republikës sonë si detyrim ndaj gjeneratave që vijojnë me ideale për një Kosovë të zhvilluar ku sundon ligji dhe barazia para ligjit”, tha Lladrovci.
Lladrovci tha se shpreson që së shpejti të hidhet dhe gur themeli për stadiumin nacional. /eo