Ndahen 7 milionë euro për përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore
Foto: Laura Hasani

Ndahen 7 milionë euro për përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore

Ekonomia November 13, 2024 - 11:04

Mbi 7 milionë euro ka ndarë sot Qeveria e Kosovës për përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore. Kjo në kuadër të Masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ministri Murati tha se kjo po bëhet në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të bizneseve për qasje më të lehtë në financa.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë propozim-vendimin për ndarjen e këtyre mjeteve.

“Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme që kemi për sektorin privat për zhvillimin e ekonomisë në vlerë të qëndrueshme, ne si Qeveri kemi mbështetur Fondin për Garanci Kreditore për të shtuar kapitalin në vazhdimësi, pra për të mbuluar apo për të financuar tregtarët e ndryshëm që janë pjesë e këtij Fondi, në mënyrë që të vazhdojë rritja e garantimit të kredive që bizneset dhe ekonomia vendëse ta ketë më të lehtë në financa, pa pasur nevojë që të ofrojmë hipotekë ose pengje të tjera, ne do të vazhdojmë me transfertën e radhës që është në vlerë prej 7 milionë eurove, në kuadër të Masës 2.2”, tha Murati.