BE-ja vlerëson stabilitetin e sektorit bankar dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja në raportin për Kosovën
Foto: Laura Hasani

BE-ja vlerëson stabilitetin e sektorit bankar dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja në raportin për Kosovën

Ekonomia November 11, 2024 - 09:35

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e tij të fundit mbi progresin e Kosovës 2024 drejt procesit të integrimit evropian, në të cilin ka vlerësuar zhvillimet kryesore të sistemit financiar dhe Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), duke identifikuar fushat që kërkojnë përafrim të mëtejshëm me standardet e BE-së.

Sipas një njoftimi për media nga BQK-ja, bëhet e ditur se raporti vlerëson sistemin bankar si të qëndrueshëm dhe me një ritëm të fuqishëm të zgjerimit, me nivele të larta kapitalizimi dhe rritje të konsiderueshme të kreditimit dhe depozitave në krahasim me vitet paraprake.

“Në këtë kontest vlerësohet miratimi i Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut të Likuiditetit dhe sugjerohet puna e vazhdueshme për zbatimin e Direktivës dhe Rregullores për Kërkesat Kapitale.

Raporti në veçanti vlerëson progresin e konsiderueshëm në krijimin e një strukture të adekuate të qeverisjes së BQK-së pas emërimit të guvernatorit të ri dhe kompletimit të Bordit Ekzekutiv. Për më tepër, sipas Raportit, Plani i ri Strategjik pesëvjeçar i BQK-së, i lansuar në fund të vitit 2023, pritet të forcojë efikasitetin e saj operacional”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se BQK-ja mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kornizës ligjore dhe infrastrukturës financiare të nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë, në pajtim me mandatin e saj.