Hyseni: Në qasjen e re financiare, Komuna shlyen 10 milionë borxhe të vjetra nga qeverisja e kaluar

Hyseni: Në qasjen e re financiare, Komuna shlyen 10 milionë borxhe të vjetra nga qeverisja e kaluar

Ekonomia November 11, 2024 - 09:32

Komuna e Gjilanit njofton se me krijimin e një modeli të ri financiar ka arritur të paguajë rreth 10 milionë euro borxhe të vjetra nga 14 milionë sa ka lënë qeverisja e kaluar.

Përmes një komunikate për media, kryetari Hyseni thotë se borxhi i Qeverisë së mëparshme arriti në 14 milionë, ndërkohë që sipas tij ndau vetëm 5 milionë euro për t’i shlyer ato.

“Keqmenaxhimi dhe mungesa e planifikimit bënë që ndër vite të paguhen miliona euro nga taksat e qytetarëve për shpenzime përmbarimore. Për shumë nga këto toka të shpronësuara, nuk kishte fare projekte”, tha Hyseni.

Ai theksoi se ndryshe nga kjo, qeverisja aktuale nën drejtimin e tij ka krijuar një model të ri të menaxhimit të taksave dhe parasë publike.

“Me një qasje të përgjegjshme financiare, kemi arritur të kufizojmë borxhet e reja në vetëm 700 mijë euro, ndërsa kemi shlyer rreth 10 milionë euro borxhe të vjetra”, tha Hyseni.

Kryetari i Komunës së Gjilanit tha se ky model i ri synon të forcojë transparencën dhe llogaridhënien në përdorimin e fondeve publike, duke garantuar sipas tij që taksat e qytetarëve të shpenzohen me kujdes dhe përgjegjësi.