Ndikimi i diasporës në ekonominë shqiptare
Foto: Laura Hasani

Ndikimi i diasporës në ekonominë shqiptare

Ekonomia November 04, 2024 - 16:50

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vijon turin e tij të takimeve me diasporën, duke iu kërkuar votën emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen vitin e ardhshëm.

Por përtej votës, pse është e rëndësishme diaspora?

Në aspektin ekonomik dhe financiar, emigrantët shqiptarë sjellin para pranë familjeve të tyre në atdhe, duke ndihmuar të afërmit, por edhe ekonominë e vendit. Ata mbeten një potencial i madh për investime, duke pasur parasysh nivelin e lartë të ekspertizës dhe eksperiencën që kanë fituar në vendet, ku punojnë dhe jetojnë prej vitesh.

Gjithashtu, shqiptarët e diasporës kanë një rrjet të madh bashkëpunëtorësh, atë që ndryshe njihet si network dhe që është shumë i rëndësishëm në ekonomi, pasi bën të mundur sjelljen në Shqipëri të investitorëve të tjerë.

Por sa para kanë sjellë emigrantët shqiptarë në atdhe?

Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve arritën rekordin e 929 milionë eurove. Këto flukse valutore janë përshpejtuar veçanërisht në katër vitet e fundit, që tregon për aktivizimin intensiv të emigrimit dhe faktit që janë emigrantët e rinj ata që po dërgojnë para në atdhe.

Ritmet e remitancave kanë qenë të larta edhe këtë vit, duke kapërcyer në fund të 6 mujorit të parë vlerën e 510 milionë euro, çka sinjalizon që në fund të 2024-ës do të kemi një rekord të ri të këtij treguesi.

Cilët janë sektorët që diaspora ka më shumë interes për të investuar?

Rezultojnë disa degë të ekonomisë, ku interesi është më i shtuar dhe ato janë: energjia; teknologjia e informacionit; turizmi dhe shërbimet financiare.

Por shqiptarët e diasporës hasin vështirësi për të investuar në Shqipëri, ashtu si edhe një pjesë e investitorëve të tjerë. Barriera që kanë të bëjnë kryesisht me konkurrencën e pandershme; korrupsionin; ndryshimet e shpeshta fiskale dhe mungesën e orientimit të investimeve./a2cnn