Murati: Për karburante janë shpenzuar 10 milionë euro dhe jo 31 milionë
Foto: Laura Hasani

Murati: Për karburante janë shpenzuar 10 milionë euro dhe jo 31 milionë

Ekonomia November 01, 2024 - 12:22

Ministri i Financave Hekuran Murati i ka quajtur lajme të rreme raportimet se në vitin e kaluar janë shpenzuar 31 milionë euro për karburante.

Sipas Muratit, shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023 për nivelin qendror dhe atë lokal është 10.47 milionë euro, transmeton Zeri.info.

“Kjo është e faktuar edhe në raportin vjetor financiar të miratuar e dorëzuar në Kuvend.

Duhet theksuar se shumica e këtij shpenzimi shkon për flotën e automjeteve të Policisë dhe të FSK-së”.

“Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave për vitin 2023 është 31 milionë euro është i pavërtetë dhe i pasaktë. Shifra prej 31 milionë eurove, që është përmendur nga Raporti Vjetor i Auditimit, mund të jetë përmbledhje që përmban edhe shumat që janë shpenzuar për naftë për ngrohje, ose dru zjarri për ngrohje, por nuk ka të bëjë me shifrën faktike që është shpenzuar për karburant për automjete”, shkroi Murati. /Zëri