Buxheti i vitit 2025, Kurti tregon gjerësisht se ku do të shpenzohen 3.6 miliardë euro
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar më gjerësisht se ku do të shpenzohet buxheti në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh për vitin 2025.
Kurti tha se ky buxhet do të jetë i katërti në këtë mandat, por i pari për mandatin që na pret.
Ai theksoi se performanca dhe rritja e buxhetit përgjatë këtyre katër vjetëve ka qenë si asnjëherë më parë.
“Vit pas viti, kemi pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, gjë që ka mundësuar edhe rritjen e buxhetit pa e rritur borxhin publik e pa shkaktuar barrë financiare për gjeneratat e ardhshme”, tha shefi i Qeverisë së Kosovës.
“Në buxhetin e vitit të ardhshëm parashihet rritja e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik të cilën e prezantuam të martën. Kjo rritje e sjellë pagën mesatare në sektorin publik për vitin 2025 në 870 euro bruto”.
“Në buxhet parashihen gjithashtu 100 milionë euro shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20%, teksa rikujtojmë se pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta fillojnë të ekzekutohen nga janari i vitit që po vjen. Si dhe 60 milionë euro shtesë për skemën e shtesave për fëmijë të cilat i kemi dyfishuar e në raste trefishuar atëherë kur prindërit kanë tre ose më shumë fëmijë”, shpjegoi ai.
I pari i ekzekutivit theksoi se për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për sigurimin e barnave esenciale dhe materiale tjera të nevojshme shëndetësore, kemi ndarë 105 milionë euro.
“87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që policia dhe ushtria jonë t’i kryejnë detyrat me efikasitet të plotë. Ndërkaq buxheti i përgjithshëm për Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë vitin tjetër do të jetë që në fillim në nivel të 2% të Bruto Produktit Vendor, sipas standardit të NATO-s. Me shtesat përgjatë vitit do ta tejkalojë vlerën prej 208 milionë euro”, tha ndër të tjera Kurti.
“Investimet kapitale në vitin 2025 do të jenë në vlerë rekorde prej 930 milionë euro. Komunat do të kenë më shumë buxhet se që kanë pasur ndonjëherë. Bujku do të vazhdojë të jetë më i mbështeturi në rajon me subvencione dhe grante. E linja buxhtore për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin vitin tjetër do të jetë katër milionë euro, duke vazhduar kështu rritjen e përvitshme të mbështetjes sonë për bashkatdhetarët tanë në Luginë”.
Të gjitha këto në përputhje me rregullën fiskale të kufirit të deficitit buxhetor dhe duke e miratuar buxhetin në qeveri për vitin e katërt me radhë brenda afatit ligjor, pra para datës 31 tetor.