Panairi bujqësor dhe i energjisë së ripërtërishme, Peci: Promovimi i ushqimeve bio, përparësi

Panairi bujqësor dhe i energjisë së ripërtërishme, Peci: Promovimi i ushqimeve bio, përparësi

Ekonomia October 21, 2024 - 12:17

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me GIZ-in dhe Ministrinë e Bujqësisë kanë hapur panairin bujqësor dhe të energjisë së ripërtërishme “AgriRenew 2024”.

Me këtë rast ministri Faton Peci tha se vetëm në dy vjetët e fundit kanë instaluar 4 276.4 KW me panele fotovoltaike për 951 fermerë. Ai ka shtuar se projekti, i cili po lansohet në bashkëpunim me Qeverinë gjermane dhe GIZ-in, kap vlerën prej 20.2 milionë eurove.

Peci shtoi se me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agroturizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale.

“Gjatë gjithë mandatit tim si ministër, kemi dhënë prioritet investimeve përmes projekteve të granteve, duke integruar energjinë e ripërtëritshme si një kriter të detyrueshëm në secilën masë. Vetëm në dy vitet e fundit, kemi instaluar 4 276.4 KW me panele fotovoltaike për 951 fermerë. Vlera totale e investimit arrijnë vlerën prej rreth 50 milionë euro. Sot kam kënaqësinë të prezantoj një projekt madhor dhe transformues, i realizuar në partneritet me Qeverinë gjermane dhe GIZ-in, me një investim prej 20.2 milionë eurove”.

“Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend, e cila për herë të parë në historinë e Ministrisë së Bujqësisë ka mundësuar një bashkëpunim të tillë strategjik dhe të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit. Vlen të theksohet se deri tani si Ministri kemi investuar 300 milionë euro për të përkrahur financiarisht fermerët Kosovarë. Me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agroturizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale”.

“Përparësi e këtij projekti është promovimi i ushqimeve bio me vlera të larta ushqyese, të cilat janë një element kryesor në agroturizëm. Në botën e sotme, ku ushqimet industriale dhe të shpejta dominojnë tregun, agro-turizmi ofron një alternativë të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke sjellë përpara produktet tona bio, të cilat jo vetëm që janë të freskëta dhe të shëndetshme, por edhe promovojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumatorit dhe prodhuesit”, ka thënë ai.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se ky panair ka bashkuar fushat e bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, dy sektorë që sipas tij, janë jetik për ekonominë e Kosovës, por gjithashtu përbëjnë shtyllat kryesore për të ardhmen e qëndrueshme.

“Këtë vit, kemi bashkuar fushat e bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, dy sektorë që jo vetëm janë jetik për ekonominë e Kosovës, por gjithashtu përbëjnë shtyllat kryesore për të ardhmen tonë të qëndrueshme. Bujqësia ka qenë gjithmonë pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, duke siguruar jetesën për shumë njerëz dhe duke garantuar sigurinë ushqimore për popullatën tonë”.

“Potenciali i bujqësisë për t’u zhvilluar më tej dhe për të kontribuuar më shumë në BPV është ende i madh, veçanërisht nëse integrohen teknologji të reja. Energjia e ripërtërishme në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme si një alternativë ndaj burimeve tradicionale si qymyri, me fokus në energjinë diellore, të erës dhe bioenergjinë Energjia e ripërtërishme nuk është më vetëm një burim plotësues; ajo po bëhet e rëndësishme për zhvillimin tonë ekonomik dhe për qëndrueshmërinë mjedisore”.

“Ndërveprimi midis sektorëve të ndryshëm, veçanërisht bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës. Këto dy sektorë mund të bashkëpunojnë për të krijuar modele të qëndrueshme që rrisin prodhimin bujqësor duke ulur ndikimin mjedisor”, ka thënë ai.

Ambasadori gjerman John Rohde, ka thënë se qëllimi kryesor i Gjermanisë është që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në BE, raporton EO.

“Si Panair tre ditësh është mundësi e mirë të sjellë së bashku shumë biznese, inovatorët e përfaqësues të bujqësisë dhe energjisë së ripërtëritshme. Shpresoj që do të kemi takime shumë takime produktive gjatë këtyre ditëve”.

“Sot qëllimi kryesor i bashkëpunimit zhvillimor është që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshme të Kosovës dhe anëtarësimit në BE. Dy qeveritë tona kanë fokusuar bashkëpunimin në tri fusha, e para është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, e dyta është klima dhe energjia dhe e treta është procesi i reformës administrative”, tha ai.