Eksportet e Shqipërisë me Kosovën ranë me 40% në shtator

Eksportet e Shqipërisë me Kosovën ranë me 40% në shtator

Ekonomia October 17, 2024 - 21:54

Në muajin shtator të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 31 miliardë Lekë, duke u rritur me 36,6 %, në krahasim me muajin gusht. Por krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra me shtatorin e 2023, ato kanë shënuar një rënie me 8.5 përqind.

Ndërkohë importet arritën vlerën 71 miliardë Lekë, duke u ulur me 3,1 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 3 %, në krahasim me Gusht 2024.

Kësisoj, defiçiti tregtar në Shtator arriti 40 miliardë lekë, duke u rritur me 1,5 %, krahasuar me Shtatorin e 2023 dhe duke u ulur me 13,2 % në krahasim me Gusht 2024.

 

Si 9-mujor, pra nga Janari në Shtator, eksportet e mallrave arritën vlerën 286 miliardë Lekë, duke u ulur me 14,2 %, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 666 miliardë Lekë, duke u rritur me 2,4 %.

Gjatë këtij 9-mujori, defiçiti tregtar arriti vlerën 380 miliardë Lekë, duke u rritur me 19,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Gjatë muajit Shtator 2024, në uljen e eksporteve kanë ndikuar grupet “Tekstile dhe këpucë” me 5,5 përqind dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2,1 përqind.

Ndërsa në uljen e importeve kanë ndikuar negativisht grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Tekstile dhe këpucë”.

Në muajin Shtator 2024, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve janë Italia me 22 përqind, Kosova me 40 përqind dhe Greqia me 7,7 përqind.

INSTAT raporton se shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 56,8 % të gjithë tregtisë./Tv Klan