LDK-ja e cilëson “alarmues” raportin e Bankës Botërore: Me Abdixhikun – Kosova mund ta tejkalojë krizën ekonomike

LDK-ja e cilëson “alarmues” raportin e Bankës Botërore: Me Abdixhikun – Kosova mund ta tejkalojë krizën ekonomike

Ekonomia October 17, 2024 - 19:14

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur “alarmues”, raportin e Bankës Botërore, sipas të cilit  Kosova ka numrin më të madhe të papunëve, me vetëm 37 për qind të popullsisë së aftë për punë – të punësuar.

“Sipas të njëjtit raport vetëm 37 për qind e njerëzve në moshë pune janë të punësuar. Përderisa vendet fqinje si Shqipëria e Mali i Zi, janë renditur shumë më lartë se disa vende të Bashkimit Evropian me punësim”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, ky raport është ri-konfirmim i asaj që LDK e ka potencuar vazhdimisht, duke shtuar se “kjo Qeveri nuk ka plan për zhvillim ekonomik; por ka vetëm propagandë dhe keqqeverisje”.

“Si rezultat i mungesës së vizionit dhe projekteve zhvillimore të kësaj qeverie, të rinjtë tonë po e braktisin vendin dhe largohen nga Kosova”, thuhet tutje në reagim.

LDK ka njoftuar se në krye me kryetarin Lumir Abdixhiku, e ka një plan të detajuar, si dhe ekip të duhur për ta zhvilluar ekonominë e vendit, për të krijuar vende të reja të punës, dhe për t’i ndalur trendet negative të kësaj qeverie, që po i shtyejnë kaq shumë të rinj e të reja ta lëshojnë vendin.

“Rruga e Re është rruga e vetme drejt zhvillimit ekonomik. Dhe ndryshimin për Kosovën që e duam do ta sjellim ne”.

Në raportin e fundit të titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes” të Bankës Botërore, Kosova ka numrin më të madhe të papunëve, me vetëm 37 për qind të popullsisë së aftë për punë – të punësuar.  Pra sipas këtij raporti shkalla e papunësisë në Kosovë është 63 për qind.

Ky konstatim i Bankës Botërore të Kosovës bie ndesh me krekosjet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se gjatë qeverisjes së tij janë hapur 75 mijë vende të reja të punës.

“Jemi Qeveria e parë në Kosovën e pasluftës ku nuk ka pas asnjë protestë të vetme në të cilën figuron parulla ‘Duam punë’. Dhe kjo besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021”, potencoi Kurti ditë më parë.

Në po këtë raport, Banka Botërore, ka vlerësuar se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë këtij viti.