Prodhimet e grave të Kosovës në tregje të Evropës
Dymbëdhjetë vjet më parë Nadire Hasani nuk e imagjinonte se do të bëhej një fermere e suksesshme.
“Kam dalë në treg me vetëm dhjetë kilogramë ajvar e tre kavanoza me speca turshi”, kujton sot ajo.
“Të gjithë qeshnin me mua që kisha sasi aq të vogël. Por, dalëngadalë kërkesat rriteshin e bashkë me to edhe prodhimi im”, thotë fermerja nga fshati Frashër i komunës së Mitrovicës së Jugut.
Sot prodhimet e saj i shet jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë e takoi atë më 15 tetor në një panair në Prishtinë, që u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale.
Gjatë rrëfimit, Nadirja tregon se situata e rëndë ekonomike dhe sociale - me burrin e papunë dhe tre fëmijët e vegjël - e kishte nxitur që një pjesë të prodhimeve bujqësore, që do t’i përdorte për nevojat familjare, t’i nxirrte në treg për shitje.
Fillimisht dilte në tregun e komunës së saj. Me rritjen e kërkesave, dilte kohë pas kohe edhe në Prishtinë.
“Prej katër vjetësh, ajvar e turshi eksportoj edhe në Zvicër, Gjermani dhe Francë”, thotë ajo.
“Kam kërkesa edhe për Suedi, por, për momentin, nuk mund t’i përmbush, sepse nuk kam prodhim”.
Nadirja tregon se nga një dhomë e vogël shtëpie, ku i qëronte e piqte specat, sot ka dy objekte në fshat, si lloj fabrikash, ku ka të punësuar dhjetë veta.
“Asnjëherë nuk e kam imagjinuar se do të bëhem një afariste e suksesshme. Qëllimi ishte, thjesht, t’i përmbushja nevojat e tre fëmijëve dhe bashkëshortit”, thotë Nadirja.
E sot fëmijët e saj e ndihmojnë biznesin.
“Njëri djalë mban kontabilitetin, e tjetri i menaxhon punëtorët”, tregon ajo.
Në panairin në Prishtinë me temën “Gratë rurale janë çelësi për zero uri”, ekipi i REL-it takoi edhe Nafije Ajetin nga fshati Sveçël i Podujevës.
Me një rrëfim të ngjashëm si Nadirja, ajo tregon se punën si fermere e kishte nisur qysh në vitin 2002 - fillimisht për konsum familjar, e pastaj edhe për shitje në treg.
Sot ka biznesin e vet.
“Puna në bujqësi nuk është e lehtë, por është fitimprurëse - sa mund të kultivosh dhe përpunosh, mund edhe të shesësh”, thotë Nafija, e cila në banakun e saj kishte ekspozuar ajvar dhe perime turshi.
Këtë vit, Nafija thotë se ka kultivuar dhjetë hektarë tokë me domate, speca, tranguj, patate e të tjera.
Përveçse brenda Kosovës, ajo shet deri në 50 tonë produkte edhe në Belgjikë e Gjermani, brenda një viti.
Nga komuna e Podujevës si Nafija, në panair ishte edhe Afërdita Murati, e cila në banak kishte ekspozuar mjedra, aroni, boronica dhe lëng prej tyre.
Me kultivimin e këtyre produkteve thotë se nisi të merrej në vitin 2015.
“Pas kthimit nga Kroacia më 2001 - ku kam jetuar 14 vjet - u jam përkushtuar tre fëmijëve dhe arsimimit të tyre. Kur fëmijët kanë nisur t’i përfundojnë studimet, unë kam mbetur si amvise, pa ndonjë qëllim të qartë. Fillova të kërkoj punë, por oferta për rrogë sillej nga 150 deri në 200 euro në muaj”, rrëfen fermerja nga fshati Llapashticë e Poshtme i Podujevës.
Ajo thotë se, fillimisht, dilte në tregun në Prishtinë me pesë litra lëng aronie për shitje. Sot, ka biznesin e saj që prodhon deri në 500 litra në ditë.
Valbona Sopa ka një rrëfim më ndryshe. E ardhur nga fshati Sllovi i Lipjanit, ajo tregon se bashkëshorti i saj, para tri dekadash, shiste produkte bujqësore në tregjet e Prishtinës.
Pasi ai u plagos në luftë, Valbona - ndonëse elektriciste me profesion - filloi ta ndihmonte.
“Sot nuk mund të largohem nga kjo punë, sepse i kam krijuar klientët e mi dhe ndihem e përmbushur me këtë punë. Kam nisur nga zeroja, por me këtë punë kemi ndërtuar shtëpinë, kam shkolluar vajzën dhe kam krijuar kushte të mira materiale”, thotë Valbona.
Jo larg banakut të Valbonës, produkte qumështi dhe perime shiste edhe Hata Sllamniku nga fshati Henc i Fushë Kosovës.
Ka tri lopë dhe bashkë me bashkëshortin kultivojnë rreth pesë hektarë tokë me perime.
“Në fillim ndihesha në siklet dhe më vinte turp të shisja në treg, sepse pas luftës nuk kishte shumë gra. Tash, me padurim pres që t’i shes produktet e mia”, thotë fermerja 58-vjeçare.
Ajo tregon se fëmijët i ka tani të shkolluar dhe të punësuar dhe se ata i kërkojnë të mos merret më me bujqësi.
“Por, unë nuk mund ta lë”, thotë ajo.
Shumica e bashkëbisedueseve të REL-it tregojnë se kanë marrë, kohë pas kohe, subvencione nga organizata të ndryshme joqeveritare, por jo edhe nga Qeveria e vendit.
Të gjitha thonë se puna në bujqësi nuk është fare e lehtë, por se është bërë pjesë e jetesës së tyre, njëherësh edhe më të shëndetshme.
Duke folur në panairin në Prishtinë, Imri Demelezi, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se “gratë e vendeve rurale luajnë rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe rritjen e shkallës së punësimit”.
“Si Ministri e Bujqësisë, vitin e kaluar, për gratë fermere kemi ndarë 15.2 milionë euro. Prej tyre, 7.2 milionë euro kanë qenë grante dhe tetë milionë euro janë adresuar për gratë fermere përmes skemave të subvencioneve”, tha Demelezi, duke u zotuar se shpërndarja e mjeteve të ngjashme do të vazhdojë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa është numri i bizneseve që aktualisht udhëhiqen nga gratë dhe në cilët sektorë bëjnë pjesë ato.
Por, për një raportim të vitit të kaluar, nga kjo ministri kanë bërë të ditur për REL-in se nga viti 2019 deri në shtator të vitit 2023, në Kosovë janë regjistruar 49.974 biznese të reja - prej tyre, 12.801 kanë qenë biznese me pronare gra.
Sipas Kombeve të Bashkuara, gratë rurale kanë më pak qasje në disa burime - nisur nga të drejtat në tokë dhe kredi deri tek arsimi dhe teknologjia.
Nëse gratë do ta kishin të njëjtën qasje në burimet prodhuese sikurse burrat, rendimentet e fermave do të mund të rriteshin për 20-30 për qind, sipas Kombeve të Bashkuara.
Në Kosovë, shkalla e punësimit të grave sillet rreth 24 për qind.
Përkundër larmisë së prodhimeve vendore, Kosova më shumë importon, sesa eksporton.