Cilat vende të BE-së prodhojnë dhe importojnë më shumë kafe?
Prodhimi i kafesë në të gjithë BE-në është rritur me 15% në dekadën e fundit, sipas të dhënave të reja të EUROSTAT-it.
Kështu, siç vë në pah Euronews, çdo qytetar i BE-së konsumoi rreth 5 kg kafe në vitin 2023.
Prodhimi i përgjithshëm, duke përfshirë produktet e kafesë, arriti në mbi 2 milionë tonë vitin e kaluar, një prodhim me vlerë 13 miliardë euro.
Italia kryesoi listën, duke prodhuar një të katërtën (25%) të kafesë së BE-së, e ndjekur nga Gjermania (22%), Franca (6%) dhe Holanda (6%).
BE gjithashtu importon rreth 2.7 milionë tonë kafe çdo vit, me vlerë 10.6 miliardë euro, theksohet në shkrimin e Euronews.
Gjermania blen një të tretën e saj (33%), e ndjekur nga Italia (23%), Belgjika (10%), Spanja (9%) dhe Franca (7%).
Shumica e importeve të kafesë në BE vitin e kaluar erdhi nga Brazili – 921 900 ton, ose 34% e totalit të importeve jashtë BE-së. Vietnami ishte “përgjegjës” për 24%, me Uganda që siguronte 8%.
Por një ligj i ri i BE-së që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2025 mund të ndryshojë në mënyrë drastike këtë pamje, duke i detyruar prodhuesit e kafesë të provojnë se zinxhiri i tyre i furnizimit nuk shkakton shpyllëzim.
Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria franceze, kafeja është një kulturë me një potencial të lartë shpyllëzimi.
“Si importuesi më i madh në botë i kafesë, BE-ja është përgjegjëse për 44% të shpyllëzimit të lidhur me kafenë”, paralajmëron raporti. /Telegrafi