Hoti kritikon Pecin, ia paraqet dështimet në bujqësi në tri tabela
Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë, që udhëhiqet nga Faton Peci, duke e quajtur dështim total.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka shtruar pyetje se pse ka rënie në sipërfaqet e mbjella dhe përse ka rënë numri i kafshëve, shpezëve e bletëve?
Hoti ka thënë se e vërteta është se bujqësia nuk po zhvillohet.
“Nuk ka investime në rritjen e tokave bujqësore nën ujitje. Nuk ka kreditim me kushte të volitshme për investime bujqësore. Nuk ka investime në teknologjinë e ruajtjes dhe përpunimit të ushqimeve”, shkroi Hoti.
Postimi i tij i plotë:
Bujqësia 2021-2024: Dështim total
Dështimet në bujqësi në tri tabela:
– TABELA 1: Gjatë mandatit 2021-2024 janë shpenzuar 252.7 milionë euro në subvencione bujqësore (për 2024 janë në shpenzim e sipër).
– TABELA 2:
Në 2023, krahasuar me 2020, numri i kafshëve, shpezëve dhe bletëve, si dhe i sipërfaqeve të kultivuara ka rënë, me përjashtim të numrit të shpezëve dhe sipërfaqeve me pemishte.
– TABELA 3:
– Në 2023, krahasuar me 2019, importet e mallrave kryesore ushqimore janë rritur për 72% (apo për 455 mil euro): për kafshë të gjalla 339%, për mish 43%, bylmet e vezë 61%, perime 78%, e kështu me radhë.
Edhe pas eliminimit të efektit të inflacionit në vlerën e importeve, sërish rritja mbetet e madhe. (Bazë krahasuese është marrë viti 2019, pasi në vitin 2020 ka pasur kufizime në tregti shkaku i pandemisë.)
Pyetjet legjitime janë këto:
1. Përse ka rënie në sipërfaqet e mbjella?
2. Përse ka rënë numri i kafshëve, shpezëve e bletëve?
3. Çfarë po ndodh me prodhimin vendor – përse po importojmë më shumë ushqime kur kemi dukshëm më pak qytetarë rezidentë?
4. Cili është ndikimi i 252.7 mil euro të shpenzuara në subvencione?
E vërteta është se bujqësia nuk po zhvillohet. Nuk ka investime në rritjen e tokave bujqësore nën ujitje. Nuk ka kreditim me kushte të volitshme për investime bujqësore. Nuk ka investime në teknologjinë e ruajtjes dhe përpunimit të ushqimeve.