Kumbaro: 9.7 milionë turistë të huaj në Shqipëri nga janari deri shtator
Numri i turistëve që kanë vizituar vendin tonë, nga janari në shtator të këtij viti është 9.7 milionë. Shifrën e bëri me dije Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, gjatë analizës së sezonit turistik veror 2024.
“9,7 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm. Janë tregues i një turizmi që rritet bashkë me ambiciet tona për të konsoliduar një ofertë me nivelet më të larta të cilësisë, standardeve dhe mikpritjes”, tha ministrja.
Teksa prezantoi Strategjinë e re Kombëtare të Turizmit nën vizionin e Shqipërisë turistike 2030, Kumbaro tha se projekti parashikon edhe ndarjen e vendit në 6 rajone turistike, konkretisht: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.
Sipas ministres, Shqipëria ka arritur të konsolidojë ofertën turistike , duke e shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin.
“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milion vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agroturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”, tha Kumbaro.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi si sfidë kryesore të këtij sezoni turistit ishte energjia.
“Një sfidë e madhe për ne la qenë energjia elektrike, ofrimi i saj në mënyrë të pandërprerë, duke patur parasysh që për një periudhë të gjatë kohe, kemi pasur konsum në nivel maksimal, ose rekorde të paprekura më parë. Një shifër që na ka vendosur në vështirësi, jo për shkak të sasive që duhej të ofronim sepse ky ka qenë një vit i mirë hidrik, por për shkak të sasive të transmetimit duke e vënë operatorin e shpërndarjes dhe transmetimit në një situatë të vështirë që u kalua me sukses”, tha Balluku.