Mallrat nga Serbia, Dogana: Ka filluar procesi i blerjes së një skaneri, vendet partnere kanë ofruar të dhurojnë
Foto: Zëri / Ilustrim

Mallrat nga Serbia, Dogana: Ka filluar procesi i blerjes së një skaneri, vendet partnere kanë ofruar të dhurojnë

Ekonomia October 09, 2024 - 18:53

Pas presionit të Gjermanisë për CEFTA-n, Ministria e Punëve të Brendshme mori vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare në Merdar. Kontrolli i shtuar u tha se do të vazhdojë derisa Kosova të pajiset me skanerë. Nga Dogana kanë bërë të ditur se janë duke e zbatuar procesin e një skaneri mobil, ndërsa ambasada gjermane në Kosovë kanë thënë se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë për këtë çështje.

Të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme vendosi për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes Merdarit- nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

Kryeministri Albin Kurti ishte ai që i pari e konfirmoi zyrtarisht këtë vendim. Ai tha se edhe pikat tjera kufitare do të hapen në momentin që Kosova do të pajiset me skanerë.

“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Në momentin kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare por derisa nuk na vijnë skanerët ne do të hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë dhe në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbledhja e CEFTA-s ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti dje.

Ai edhe sot në një konferencë për media foli për skanerët. Ai tha se duan t’i blejnë ata por edhe se i janë premtuar nga evropianët dhe amerikanët.

“Natyrisht që ne nuk kemi mundur ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare ndërkohë që nuk i kemi marrë ende skanerët, të cilët edhe duam t’i blejmë edhe na kanë premtuar edhe evropianët edhe amerikanët. E ndërkohë çfarë kemi bërë ne është që e kemi hapur një pikë të kufirit me ç’rast është në Merdar sepse terminali doganor është vetëm 300 metra larg prej vendkalimit kufitar ku lejohen mallrat por me kontroll të shtuar”, tha Kurti.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha se vendet partnere të Kosovës kanë ofruar të dhurojnë skanerë që ndihmojnë në kontrollin e mallrave pa ndërhyrje fizike.

“Vendet partnere të Republikës së Kosovës si dhe BE kanë ofruar të dhurojnë skanerë që ndihmojnë në kontrollin e mallrave pa ndërhyrje fizike. Me këtë do të përmirësohet cilësia e kontrollave dhe po ashtu edhe shpejtësia e procesimit të dërgesave dhe automjeteve në qarkullim ndërkombëtar. Ne nuk mund të përcaktojmë koston dhe dinamikën pasi që ky proces ka varësi mbi burokracitë dhe procedurat ligjore të vendeve që ndjekin proceset e blerjes dhe furnizimit”, tha Stavileci.

Stavileci ka bërë të ditur se Dogana është duke e zbatuar procesin e blerjes së një skaneri mobil që do të përdoret në gjithë territorin e Kosovës.

“Dogana e Kosovës është duke zbatuar procesin e blerjes së një skaneri mobil që ka përshtatshmëri operacionale të lëvizjes dhe do të përdoret përgjatë gjithë territorit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Se po bisedohet për skanerët mes Kosovës dhe Gjermanisë, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i ambasadës gjermane, Christian Bottcher.

Ai tha se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë sa u përket skanerëve.

Bottcher shtoi se skanerët mund të sigurohen vetëm pas vlerësimit të plotë të nevojave dhe në përputhje me procedurat e prokurimit publik

“Ne jemi në kontakt me autoritetet kosovare sa u përket skanerëve. Skanerët mund të sigurohen vetëm pas një vlerësimi të plotë të nevojave dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e prokurimit publik”, tha Bottcher për Express.

Në qershor të këtij viti kryeministri Kurti ka vizituar portin e Hamburgut ku ka parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.

Kurti tha se shkoi atje për të mësuar më shumë rreth mundësive që edhe Republika e Kosovës të pajiset me një sistem të këtillë.

Kurti kishte thënë se po shikojnë mundësitë që qeveria gjermane ta pajisë edhe Kosovën me një skaner të tillë.

“Sot në këtë vizitë po shohim se cilat janë edhe kushtet me të cilët qeveria gjermane do të ishte dakord që të na pajiste edhe neve me një skaner të këtillë me rreze X ashtu që të rritet siguria në kufijtë e Kosovës sa i përket mallrave që na hyjnë dhe gjithashtu të bëhemi pjesë e Evropës sa i përket mbikëqyrjes së kufijve dhe tregtisë së sigurt”.